World Vision Albania mbështet organizimin e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe

Për të dytin vit radhazi, organizata World Vision Albania mbështeti organizimin e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, i cili shënon një hap të rëndësishëm në ruajtjen, nxitjen dhe promovimin e Gjuhës Shqipe ndër breza.

Në natën finale ishte e pranishme edhe drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, e cila mbajti një fjalë përshëndetëse.

Konkursi që ka angazhuar më shumë se 900 shkolla dhe mbi 11 mijë nxënës, synon të nxisë fëmijët të zhvillojnë dhe të pasurojnë aftësitë e tyre gjuhësore dhe komunikuese, duke i drejtuar ata të zbulojnë thellësitë e gjuhës së bukur shqipe. Tema e konkursit për këtë vit ishte “Gjuha shqipe si identitet kombëtar, kulturor dhe mjet komunikimi në epokën e teknologjisë”.

Kjo nismë u realizua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe dhe mbështetet nga World Vision Albania, Këshilli i Evropës, Unicef Albania, Save the Children in Albania dhe British Council.