Shqipëria ka aktualisht 704 familje të prekura nga gjakmarrja, prej të cilave 591 jetojnë në Shqipëri ndërsa 113 prej tyre janë larguar jashtë vendit. Studimi u krye nga shoqata “Gjenerata e Re” me ndihmën e autoriteteve policore dhe OSHEE në 6 qarqet e prekura nga kjo dukuri: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Durrës. Pjesa më e madhe e familjeve të prekura nga gjakmarrja jetojnë në varfëri dhe mjerim. Rëndesa ekonomike vjen nga izolimi dhe banesat e vogla pa siguri dhe pa kushte, sidomos për të sëmurët, të cilët nuk dalin dot as për të marrë shërbimin mjekësor. Halli më i madh mbeten fëmijët e pafajshëm, që ngujohen ose shkëputen nga shkolla, madje ka edhe nga ata që kanë lindur në ngujim.