Tungjatjeta Mariglen!

BEV_3769

Marigleni 9-vjeçar është djali i dytë i familjes. Ai erdhi në jetë 1 vit pas lindjes së të motrës, Irenës.  E ëma, Hatushja, tregon se në lindje, çdo gjë shkoi mirë. Por, ndërsa ai rritej, të afërmit filluan t’i thonin që djali nuk po zhvillohej si bashkëmoshatarët. Ai nuk po fliste si ata… Pas disa kohësh, ata e vizituan djalin, në Elbasan. Marigleni u diangonstikua me autizëm. “Doktori na tha se çuni nuk është mirë, prandaj nuk flet. Ku dimë ne…Akoma nuk flet. Vetëm ma, ba – thotë. As “dua bukë” nuk e thotë”- tregon Hatushja, 35 vjeçe. Familja e varfër jeton në një fshat të Librazhdit.

Marigleni filloi këtë vit klasën e 4-t. Ndonëse shkon në shkollë, ai pak gjëra ka marrë prej saj. E ëma tregon se ai di vetëm të shkruajë emrin e tij.

Ai nuk ka shokë. E motra, Irena, na tregon: Në shkollë, vëllain tim e shajnë sepse ai nuk flet. E shtyjnë dhe i gjuajnë. Unë e mbroj. Por ata nuk më kanë shoqe as mua. Pastaj unë i them mamit. Ajo na mbron… .

Jeta për të është e vështirë. Pavarësisht moshës së njomë ai duhet t’i bëjë ballë vështirësive ekonomike ,aftësisë së kufizuar dhe dhunës fizike dhe psikologjike të bashkëmoshatarëve. Ndonëse ka nevojë për mbështetjen e specialistëve ai nuk ka pasur kurrë mundësi të marrë shërbimet e specializuara si logopedi dhe shërbim psikologjik. “Ne marrim kemp për çunin, por me ato lek ne blejmë miell. Çfarë të bëjmë…nuk kemi…janë 4 fëmijë për t’u ushqyer”- thotë Hatushja. Shtëpia ku jetojnë është e xhaxhait të burrit, i cili ua la pasi vetë shkoi të jetonte në Durrës. Ata nuk kanë as shtëpi, as tokë. E vetmja pasuri është një lopë, e cila të paktën u siguron qumësht. Të vetmet veshje dhe lodra që kanë fëmijët e saj, ia kanë blerë gjyshërit. Ata jetojnë në Elbasan dhe i vizitojnë sa herë munden.

Mariglenit i pëlqejnë shumë makinat. Ai ka qef të bëhet shofer kur të rritet. Që Marigleni dhe fëmijët e tjerë si ai të jetojnë një jetë me dinjitet, World Vison ka nisur programin “Tungjatjeta”, që ofron vizita dhe shërbime për fëmijët me Aftësi të Kufizuar, në zonat më të thella të vendit, pranë banesave të tyre.Studimi ynë i fundit tregoi se rreth 70,000 fëmijë në vend jetojnë me një vështirësi të thelluar dhe 92 % e tyre nuk aksesojnë shërbimet që u nevojiten.

Si mund të Dhuroni:

Raiffeisen Bank

Numër llogarie: 00 3088 0359

IBAN: AL60 2021 1013 0000 0000 3088 0359

SWIFT: SGSBALTX

Kartë Debiti / Krediti: http://www.tungjatjeta.al/#dhuro