Tungjatjeta Irena!

BEV_3760

Irena është 10 vjeçe dhe jeton në një prej fshatrave më të varfër të Librazhdit. Në qendër të tij është ndërtuar një xhami. Ajo është ndoshta e vetmja gjë me të cilën krenohen bashkëfshatarët atje dhe e përdorin edhe si pike orientimi gjithashtu. 

Ajo dhe i vëllai, Marigleni, na presin në oborrr, plot gëzim. Irena na hidhet në qafë menjëherë. Ajo është me e madhja e fëmijëve. Ata janë tre motra dhe një vëlla. Ajo merr rolin e nënës shpesh herë, sepse nëna dhe babai jo gjithmonë mund të kujdesen për të vegjlit. Ata jetojnë vetëm me 1 asistencë ekonomike. Asnjëri prej kryefamiljarëve nuk punon. Shtëpia gati-gati po rrëzohet në tokë. Prej disa kohësh nuk kanë energji elektrike. Autoritetet ua kanë shkëputur, sepse ata kishin muaj pa shlyer detyrimet financiare.

Në shtëpinë e tyre ka vetëm orendi të falura. Shumë të tjera nuk janë fare. Irena na tregon se shpesh lan rrobat e motrës së vogël, 6 muajshe, me dorë, sepse nuk kanë lavatriçe. Por ajo nuk ankohet. “Ëndrra ime është të kem një televizor, si të gjithë, se rrobat i laj edhe me dorë”- thotë Irena.

Ajo ka edhe shumë ëndrra të tjera. “Sikur të kisha një biçikletë që të bëja xhiro, siç e ka Laura…”mendon ajo me zë të lartë. Por Irena nuk e ka. As biçikletën, as televizorin dhe nuk ka patur kurrë as mundësinë të ketë një jetë me dinjitet.

Këtë vit filloi klasën e 5-të, por ajo rrëfen se shkolla nuk i pëlqen, me mësime nuk është mirë dhe shoqe e shokë nuk ka. “Ata më shajnë, më gjuajnë, më shtyjnë”- na tregon ajo. Irena e ka të vështirë të bëhet shoqe me ta.

Irena nuk ka marrë kurrë dashurinë dhe kujdesin për të cilin ka nevojë. E ëma tregon se vite më parë, ajo u diagnostikua me autizëm. Por ata nuk kanë pasur kurrë mundësi ta ndjekin tek specialistët. “Na thanë ta çojmë në Tiranë, por ne nuk kemi mundësi. Edhe dosjen e kemi lënë tek doktori në Elbasan, se atje e vizituam”- tregon ajo.

Studimi ynë i fundit mbi prevalencën e aftësisë së kufizuar tek fëmijët e moshën 2-17 vjeç, tregoi se, në Shqipëri jetojnë 70 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe 92% e tyre nuk marrin shërbimet për të cilat kanë nevojë. Që Irena dhe këta fëmijë të kenë mundësi për të jetuar një jetë me dinjitet, World Vision ka nisur programin social Tungjatjeta. Ti mund të japësh kontributin tënd!

Si mund të Dhuroni:

Raiffeisen Bank

Numër llogarie: 00 3088 0359

IBAN: AL60 2021 1013 0000 0000 3088 0359

SWIFT: SGSBALTX

Kartë Debiti / Krediti: http://www.tungjatjeta.al/#dhuro