Tungjatjeta, Arta!

Herën e parë që kemi takuar Artën nga fshati Xyrë i Librazhdit, ajo ishte 7 vjeç. Nuk ecte dot vetë dhe nuk qëndronte dot në këmbë. Madje, ajo nuk nuk ecte dot as këmba-dorazi. E vetmja mundësi për të lëvizur ishte të mbahej tek e ëma, Florina.

Pyetja që ajo i bënte vazhdimisht nënës së saj ishte ”Mami, po unë përse nuk eci?”… Që prej kohës kur ishte 2 muajshe, pas një temperature të lartë, Arta ishte diagnostikuar me një paralizë celebrale. 

Arta jeton në një dhomë, në shtëpinë e gjyshes ku e ëma Florina duhet të kujdeset jo vetëm për të, por dhe për dy fëmijë të tjerë, Gracielën 2 vjeç e gysmë dhe djalin, Aleksandër që ende nuk i ka mbushur 1 vjeç. I ati i Artës, punon emigrant jashtë Shqipërisë, sa herë që del një punë…

Në muajin prill, ajo u bë pjesë e programit social “Tungjatjetja…Jetë”, nga World Vision që i mundëson asaj që të marrë shërbime pa pagesë në shtëpi.

Sa herë vajzat e ekpit lëvizës “Tungjatjeta” vijë për terapi, Arta dëgjon me kujdes dhe me padurim nga rruga dhe i kërkon vazhdimisht të ëmës që të shikojë se mos ato kanë ardhur. Arta bën terapi, me Dorelën fizioterapsiten e “Tungjatjeta” dhe me Mozën, psikologen, e cila e ndjek vogëlushen terapi zhvillimit. Gjithashtu me famililjen e saj punon dhe Nela, punonjësja sociale.

“Është e paduruar. Mezi pret që të vijnë vajzat, më pyet gjithë kohës për to. Kur janë këtu është e lumtur dhe përpiqet që të bëjë ushtrimet!”- tregon Florina, e cila shton se gjithashtu 8-vjeçarja i kërkon vazhdimisht që të përsërisë me to, ushtrimet që i kanë lënë porosi Dorela. “Biçikletën!”- shton Arta, e cila plotëson atë që nëna e saj po na shpjegon. 

Në afro 6-7 muaj, Arta ka përparuar shumë! Tashmë ajo mund të zhvendoset në shtëpi duke ecur këmba-dorazi, mund të qëndrojë vetë në këmbë për pak sekonda pa u mbajtur, mund të qëndrojë dhe pak më gjatë në këmbë duke u mbështetur diku… Por, këto nuk janë të vetme përparime të dukshme që ka arritur Arta. Tashmë është bërë më sociale, jo vetëm me vajzat e ekipit, që mezi pret t’i takojë, por edhe në shkollë.

Arta nuk mungon asnjë ditë në shkollë. Di të lexojë, por ende ka vështirësi në shkrim. Nëse dikur, të vetmet mikesha të Artës ishin kukullat, sot e ulur në bankë të dytë, ajo ndihet e lumtur mes shoqeve që siç na tregon e duan shumë. Gjithashtu, për Artën është bërë e mundur një vizitë nga mjeku okulisti, i cili ka rekomanduar që ajo e ka të nevojshme të mbajë syze, të cilat programi “Tungatjeta”, ka marrë përsipër t’ia sigurojë. 

Që Arta të vijojë të përparojë dhe që të marrë shërbim të specializuar në shtëpi, përkrahe dhe ti programin “Tungjatjeta” nga World Vision, për një fëmijëri me dinjitet. 

Si mund të dhuroni?

Në kutitë e dhurimit në hipermarketet Interspar, dyqanet Jumbo dhe Aeroportin Nënë Tereza.

Raiffeisen Bank

Numër llogarie: 00 3088 0359

IBAN: AL60 2021 1013 0000 0000 3088 0359

SWIFT: SGSBALTX

Kartë Debiti / Krediti: http://www.tungjatjeta.al/#dhuro

Paypal: https://www.tungjatjeta.al/paguaj-me-paypal