TIRANË-Thirrja për të mbledhur të pastrehët në qendrat sociale, e ka sjellë këtë nënë të dy fëmijëve të mitur në qendrën sociale të Laprakës.
Anila Bardhi është 25 vjeç. Djali i saj i madh është 4 vjeç dhe i vogli 2 vjeç, ndërkohë që është duke pritur fëmijën e tretë.
Në këto ditë të ftohta dimri Anila kërkon ndihmë. Dëshiron banesë sociale, ose bonus qiraje, pasi nuk është më në gjendje të paguajë vetë qiranë.
‘’Unë kam ardhur se më ka përzënë pronarja e shtëpisë pasi kisha dy muaj që nuk kisha paguar qiranë. Më nxori jashtë me dy fëmijët. I bëj thirrje Erion Velisë, Edi Ramës, të më ndihmojë për ndonjë banesë sociale. Lajmërova policinë që të më ndihmonte. Ju lutem, më ndihmoni’’,- bën thirrje për ndihmë Anila.
Anila shprehet se se babai i fëmijëve është i alkoolizuar dhe nuk merr përgjegjësi për fëmijët dhe familjen.
‘’Ai punon në Pazar të Ri, por është pijanec, i alkoolizuar. Nuk është i aftë as për vetën as për fëmijët’’,-u shpreh Anila.
7 qendrat sociale të hapura në kryeqytet për t’ju ofruar një strehë dhe ushqim të ngrohtë endacakëve janë plot.
Në të gjtiha qendrat shtohet numri çdo ditë i të pastrehëve dhe njerëzve në nevojë që kërkojnë ngrohje dhe ushqim në këto qendra.
Vetëm në qendrën sociale multidisplinare në Laprakë janë strehuar 40 të pastrehë dhe hanë një vakt të ngrohtë edhe 150 të tjerë.