Thaçi-McCain: Domosdoshmëri themelimi i ushtrisë së Kosovës

thaci1-1484166322-9777523_1484210501-8171179

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vizitë zyrtare, është takuar sot me senatorin republikan, John McCain.

“Sapo përfundova një takim tjetër tepër të rëndësishëm me senatorin John McCain, që padyshim përveç që është një hero i gjallë amerikan, ai është edhe një mik shumë i çmuar i Kosovës”, ka njoftuar Thaçi nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Presidenti i Kosovës ka njoftuar se me senatorin amerikan ka diskutuar për të gjitha zhvillimet në rajon dhe më gjerë, duke u fokusuar në nevojën që SHBA’ja të vazhdojë me rolin e vet udhëheqës në Kosovë.

“Një çështje konkrete për të cilën diskutuam dhe për të cilën u pajtuam, ishte domosdoshmëria e themelimit të ushtrisë së Kosovës, e cila është jetike për ruajtjen e sovranitetit tonë shtetëror”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social.

Thaçi ka treguar se ka ftuar senatorin McCain për vizitë në Kosovë, gjë që presidenti shpreson se do të ndodhë në të ardhmen.