Për shumë të rinj ideja e hapjes së një biznesi mund të duket një sipërmarrje e madhe dhe e pamundur. Të ndërtosh një biznes nga e para nuk është shumë e lehtë sepse kërkon të kesh njohuritë e duhura, të njohësh tregun, të planifikosh mirë, por edhe të gjesh fondet për mbështetje.
Për të gjithë të rinjtë që synojnë të hapin një Start Up angazhimi në shkrimin e një projekti në një moshë relativisht të re është padyshim një avantazh i madh.
50 të rinj dhe të reja të shkollës profesionale “Hamdi Bushtati” Shkodër pjesë të projektit “Rrugët e Zhvillimit të Karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e Turizmit” ishin pjesë një trajnimi 6 ditor ku morën njohuri se si të bëjnë një planifikim të mirë të idesë së tyre të biznesit duke nisur nga projektimi i idesë, mënyrat e finacimit, marketingu, etj. Trajnimi u zhvillua në mënyrë interaktive ku të rinjtë e ndarë në grupe pune punuan me mënyrën se si të shkruajnë një ide biznesi, si ta prezantojnë atë, si të shesin një produkt, etj.
“Gjatë trajnimit kam marrë njohuri që do të më shërbejë në të ardhmen që të jem një sipërmarrëse e suksesshme. Gjithashtu, trjatuam edhe mënyrat se si te studiojmë tregun, por edhe rëndësinë e kujdesit ndaj klientit,” – Denisa, 18 vjeçe, nga Shkodra.
Në vijimësi të zbatimit të projektit të rinjtë do të nxiten të gjenerojnë ide biznesi dhe t’i hedhin idetë e tyre në letër me synimin që t’i shndërrojnë këto ide në realitet. Gjatë kësaj periudhe të rinjtë janë në fazën e gjenerimit dhe shkrimit të idesë së biznesit, të cilën do ta prezantojnë përpara një komisioni të përbërë nga profesionisë të fushës.
Pas prezantimit dhe vlerësimit nga komisioni, 8 nga idetë më të mira do të mbështeten nga projekti duke mundësuar kështu një ndihmë konkrete për ta dhe të rinjtë të kenë mundësinë të iniciojnë një start-up duke krijuar kështu mundësinë e parë reale
“Jam angazhuar në projekt që prej fillimit dhe kam marrë pjesë në të gjitha trajnimet dhe aktivitetet e organizuara. Njohuritë e marra do të më shërbejnë si bazë në të ardhmen për të hyrë më shpejt në tregun e punës dhe pse jo një ditë të hap edhe biznesin tim. Për mua është një ndihmë e madhe të jem pjesë e projektit. Kam mësuar shumë gjëra të reja dhe besoj se tani jam më pranë tregut të punës, ” – Ermela, 18 vjeçe Shkodër.
Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit IPA II, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale (CFCU) e Malit të Zi dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me organizatën Horizonti i Ri, Institucioni Publik Shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin dhe shkollën “Hamdi Bushati” në Shkodër.