Të ndryshosh veten, familjen, komunitetin

Klodi

Klodi nga Dibra na tregon se deri para pak vitesh ndjehej shpesh i bullizuar në shkollën e tij. Kjo edhe për shkak se ai vjen nga komuniteti rom. Adoleshenti ishte tip i mbyllur, kishte turp, fliste pak dhe përgjithësisht nuk angazhohej në diskutimet me shokët dhe shoqet e klasës.  

Përfshirja para 3 vitesh me grupet IMPACT në shkollën e tij në një fshat shumë pranë qytetit të Peshkopisë ka qenë jetëndryshuese për të, por edhe për familjen e tij që po kalonte vështirësi ekonomike. 

“Më kujtohet kur mësuesja më kërkoi që të bëhesha pjesë e grupit IMPACT. Nuk e dija në fakt se çfarë ishte, por temat që trajtoheshin dhe mënyra se si përcilleshin tek ne ishin shumë tërheqëse. Tema të tilla si: si të zgjidhim konfliktet, si të kemi një komunikim më të mirë apo se si të fitojmë aftësi për të ndërmarrë nisma dhe për të punuar, hapen horizonte të reja tek unë,”- na tregon 14-vjeçari, që është edhe fëmija i madh i familjes. 

Me kalimin e kohës, diskutimet për këto tema me grupet rinore IMPACT dhe pasioni për makinat “zgjuan” tek adoleshenti dibran një ide që më pas u kthye në një sipërmarrje të vogël familjare. 

“Kisha shumë dëshirë që t’i vija në ndihmë familjes time për shkak të vështirësive ekonomike, pasi prindërit nuk kishin një punë. Mësimet e marra me IMPACT më bënë të mendoj më shumë. Babai është shoku im më i mire. Bisedova me të dhe e binda që të marrim me qira një lavazh të vogël për larjen e makinave, me premtimin se do e ndihmoja gjatë pasditeve, pas mësimit. Kështu familja vendosi të merrte para borxh dhe brenda pak kohësh hapëm lavazhin,”- e vazhdon rrëfimin e tij 14-vjeçari, i cili për asnjë moment nuk e ka lënë pas dore shkollën.  

Nisma e adoleshentit rezultoi e suksesshme, edhe pse në fillim prindërit e tij kishin pasiguri. Tashmë babai i Klodit ka një punë të qendrueshme dhe siguron më shumë të ardhura për familjen. Me zgjerimin e aktivitetit të punës, Gentjani vendosi të punësojë edhe një person tjetër për t’i ardhur në ndihmë.

“Kam 3 djem dhe vështirësitë ekonomike më kanë bërë që të sforcohem familjarisht për t’ia dalë mbarë. Klodi është nga ato djem që këmbëngulin dhe e do shumë punën. Shpeshherë i them që të mos vijë pasdite të më ndihmojë, por dëshiron që të japë kontributin e tij në familje. Ideja e tij por rezulton pozitive për familjen tone dhe gjërat kanë ndryshuar për mirë,” – thotë Gentjani, babai i 14-vjeçarit. 

Klodin e njohin të gjithë në komunitetin ku jeton. Bashkë me anëtarë të tjerë të grupeve IMPACT ai është përfshirë në disa nisma që kanë patur ndikim pozitiv tek qytetarët.  

 “Ndryshimi i Klodit ka qenë i jashtëzakonshëm. Sot është drejtues i shumicës së temave që ne trajtojmë, si dhe merr përsipër iniciativa në shkollë dhe komunitet. Bashkë me të rinj të tjerë ai ka organizuar ose marrë pjesë në fushatat sensibilizuese për shëndetin mendor, fushatat e pastrimit në komunitet apo fushatat për të drejtat e fëmijëve,”- tregon Violeta, mësuesja kujdestare dhe njëkohësisht koordinatorja e qeverisë së nxënësve në këtë shkollë.  

Historia e Klodit është frymëzuese. Një histori premtuese e një adoleshenti të angazhuar, me kontribut të dukshëm në familje, shkollë dhe komunitet. Adoleshenti dibran e kërkon me etje fitimin e njohurive të reja dhe me po aq pasion dëshiron që të ndihmojë familjen e tij, por edhe të sjellë ndryshim në komunitet. 

Pasioni për makinat e ka nxitur atë që të eksplorojë më shumë në këtë fushë. Ai njeh mirë pjesët e automjeteve dhe mund të zbulojë dhe jape zgjidhje për defektet e vogla. Në të ardhmen e sheh veten inxhinier, ndërsa synon që të ketë edhe një servis makinash. Ai po punon për ëndrrat e tij. 

“Të gjithëve na duhet pak ndihmë dhe një shtysë për t’ia dalë mbarë. Unë kisha grupin IMPACT,” – e mbyll rrëfimin adoleshenti nga Dibra.