Dy terrene të reja sportive janë tashmë në dispozicion të 562 fëmijëve dhe adoleshentëve të shkollës “Kolë Jakova” në Tiranë, për të zhvilluar orët e Edukimit Fizik, por edhe për të organizuar aktivitete të ndryshme sportive.
Rikonstruktimi i fushës sportive të lojërave me dorë dhe fushës së futbollit është mundësuar nga organizata World Vision Albania dhe Bashkia Tiranë, në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Sportit” dhe nismës #Sport4all të World Vision në Shqipëri.
Sot u bë edhe inaugurimi i tyre në praninë e zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, zëvendëskryetarit të Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, drejtorit ekzekutiv të World Vision Albania, Eljona Elmazi, drejtoreshës së shkollës, Ledjana Harizi, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, nxënës dhe mësues.
“Sporti për zhvillim, mirëqenie dhe promovim të vlerave pozitive në shoqëri, ka qenë dhe do të vijojë të jetë në fokus të punës tonë. Kjo pasi, sporti dhe aktivitetet sportive ndihmojnë për një shëndet më të mirë fizik e mendor dhe në të njejtën kohë shërbejnë edhe si një mënyrë për të pasur gjithëpërfshirje e për të dhënë mesazhe solidariteti mes fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve,” – tha drejtori ekzekutiv i World Vision Albania, Eljona Elmazi.
Gjatë aktivitetit, të rinjtë e grupeve IMPACT bashkëbiseduan me të pranishmit, ku i njohen me nismat e tyre, ndërsa dhanë edhe mesazhe mbi rëndësinë e aktivitetit fizik, sportit, jetesës së shëndetshme, bashkëpunimit dhe përfshirjes.
Të rinjtë zhvilluan edhe aktivitete sportive me të ftuarit në futboll, basketboll, ping-pong dhe shah. Përmes projektit “Shkollat si Qendër Komunitare”, fushat sportive do të mund të aksesohen edhe nga anëtarët e tjerë të komunitetit.