“Kur njoha Klarën, fillova të besoj sërisht se ekzistojnë ende njerëz të mirë në këtë botë. Ajo më ka ndihmuar shumë për çdo gjë. Edhe nga ana psikologjike, pasi kam qënë shumë e rënduar sepse jetojmë në kushte të vështira ekonomike. Falë ndihmës suaj kam filluar të shpresoj për më të mirën,”- thotë Albana nga Orikumi, nënë e dy fëmijëve të vegjël.
Albana është identifikuar prej pak muajsh si një familje e rikthyer nga emigracioni në bashkinë e Vlorës. Koordinatorja e projektit RE-IN-VEST në këtë bashki , Klarida Begaj i ka qëndruar pranë familjes së Albanës pasi ka parë tek ajo një grua të fortë e plot energji pozitive, si dhe të gatshme për të bërë më të mirën për familjen e saj përpos vështitresive me të cilat e ka përballur jeta.
Albana jeton sot me bashkëshortin, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeçar. Kur ishte vajzë dhe jetonte me familjen e saj në Pogradec ajo ka ushtruar profesionin e saj si parukiere, por pasi është martuar në Vlorë, ajo është shpërngulur në Orikum dhe nuk ka punuar dot më asnjë ditë. Kujdesi ndaj fëmijëve dhe pamundesia për t’u angazhuar në profesionin bënë që parukeria të mbetej një ëndërr e vjetër për të.
Të ndodhur përballë kushteve të vështira ekonomike, por edhe duke marrë shkas nga fakti që shumë njerëz në zonën ku ajo jeton po shihnin emigrimin si një mundësi më të mirë për jetën e tyre, përpara tre vitesh Albana më bashkëshortin dhe vajzën atëherë 4 vjeçe, u larguan drejt Gjermanisë. Siç tregon vet ajo fillimet atje ishin të vështira, dhe qëllimi që i kishin vënë vetes për t’u bërë me letra dukej gjithnjë e më i largët me fluksin e madh të familjeve shqiptare që pretendonin të njëjtën gjë.
“Në fillim nuk ishte e lehtë, por u mësuam shpejt. Ushqimet dhe gjithçka kishim nevojë i mbulonte shteti gjerman. Njerëzit ishin të mirë dhe na ndihmonin. Pothuajse çdo ditë vajzën e vogël e angazhonin me lojëra të ndryshme, përparoi shumë edhe me gjuhën gjermane. Ne të rriturve na bënin aktivitete që të mos mërziteshim. Fundjavat i kalonin në Kishë me familje të tjera, dhe kalonim vërtet mirë. Atje linda dhe djalin, por që në muajt e parë vura re që kishte probleme me shëndetin. Disa njolla në trup, por dhe një kollë që e shoqëronte gjithnjë me shqetësonin tek ai, ndonëse atje doktorët këtë gjëndje e konsideronin normale. Por ditët kalonin dhe ne e shihnim që ishte shumë e vështirë, pothuajse e pamundur që të bëheshim me letra. Ndaj, menduam që në këto kushte ishte me mirë të ktheheshim në vendin tonë vetë, sesa të na depërtonin dhe të mos kishim kurrë më mundësi të shkonim atje,’- tregon Albana.
Albana shprehet se merakun për shëndetin e djalit nuk e la me një vizitë në Gjermani, ajo e vizitoi tek doktorët më të mirë këtu dhe ata i sugjeruan mjekimin e laringut të cilin djali e kishte problem pasi në periudha të ndryshme kishte bllokim në rrugët e frymëmarrjes.
Përpos kësaj, që pas rikthimit familja e tyre vijon të jetojnë në kushtë të vështira jetese. Burri punon me ditë, e ndërsa Albana e ka të pamundur të punojë pasi nuk ka ku të lë fëmijët e vegjël.
“Përpara situatës me virusin më është dashur të qëndroj me fëmijët pasi këtu në Orikum s’ka kopësht me orar të plotë. Fëmijët i mbajnë maksimumi deri në prën 12, ndërkohë që vajza shtatë vjeçe mbaronte shkollën në orën 11 të paradites. Un nuk kam asnjë njeri tjetër që të kujdeset për fëmijët. Jam vetëm, dhe kjo më ka penguar që të gjej një punë. Që pas rikthimit nga Gjermania jemi përpëlitur nëpër spitale për djalin, kemi shpenzuar shume dhe nuk ia dalim dot. E vetmja gjë e mirë këto kohë është ndihma juaj. E falenderoj Zotin që më njohu me Klarën, ka qënë si një ëngjëll mbrojtës për familjen tonë , veçanërisht këto dy muaj të vështirë në shtëpi sepse kemi jetuar vetëm me ushqimet që na keni dhënë ju,’ – thotë Albana.
Familja e Albanës është një nga 22 familjet e rikthyera në bashkinë e Vlorës e cila gjatë kësaj periudhe të vështirë është ndihmuar me paketa ushqimore dhe higjienike nga projekti RE-IN-VEST i cili synon përmirësimin e jetesës për këto familje në nevojë. Ajo gjithashtu është bërë pjesë e trajnimeve të ndryshme me fokus familjes si: prindërimi pozitiv, trajnimet me nënat, apo ‘Festojmë Familjen’ e cila përpara situatës me Covid-19 bëri bashkë të gjtiha familjet e rikthyera të bashkisë Vlorë në një resort në Durrës, ku shkëmbyen eksperiencat me njëri tjetrin, duke e parë këtë si një lloj mbështetjeje për të mësuar nga sfidat e njëri tjetrit dhe për të ecur përpara.
Projekti RE-IN-VEST vijon ndihmën ndaj familjeve të rikthyera në 13 bashki të vendit ku vetëm gjatë muajve Mars dhe Prill ka lehtësuar barrën ekonomike të 170 familjeve në nevojë të cilëve iu ka ofruar paketa ushqimore dhe higjienike.
World Vision përmes projektit RE-IN-VEST të financuar nga Qeveria Gjermane dhe implementuar nga GIZ Albania përmes programit “Migracion për Zhvillim”, i vjen në ndihmë familjeve të rikthyera nga emigracioni në 13 bashki të vendit. Ky projekt po zhvillohet në partneritet me SHKEJ dhe Diakonia Agapes me qëllim riintegrimin socio-ekonomik të familjeve të rikthyera nga emigracioni.