Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj ku propozohen disa ndryshime në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar. Parashikohet ngritja e një sërë institucionesh të reja e të pavarura dhe në total paketa e ndryshimeve pritet të sjellin një efekt financiar shtesë prej 232 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me shtimin e kategorisë së nxënësve me aftësi të kufizuara, ndër kategoritë e nxënësve që mbështeten financiarisht nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Kësaj kategorie, tashmë së bashku me nxënësit e familjeve në nevojë dhe nxënësit me arritje të shkëlqyera do t’u mbulohen shpenzimet e teksteve shkollore, dhënia falas e mjeteve mësimore dhe çantave, mbulimi i shpenzimeve të transportit dhe mbulimi i shpenzimeve për ushqim.