Qeveria ka miratuar disa ndryshime në programin e financimeve për bujqësinë dhe zhvillimin rural, që prekin individët që duan të investojnë në agroturizëm. Tashmë mbështetja për ngritjen apo rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural, si dhe për mbështetje për investime në agroturizëm, do të konsiderohen edhe investime jashtë listës së “100 fshatrave”. Kombinuar me lehtësitë në paketën e re fiskale për subjektet e agroturizmit, kjo do të krijojë një klimë më të mirë për zhvillimin e këtij modeli biznesi në zonat rurale.