Rrugëtimi i Katerinës/ Nga programet e fëmijëve, në lidere e grupit IMPACT, në punonjëse e World Vision Albania

Katerina ka rreth 15 vjet që bashkëvepron me organizatën World Vision Albania. Kontaktin e parë e pati kur ishte vetëm 10 vjeçe, pikërisht në qytetin ku ajo jetonte, në Maliq, ku u bë pjesë e programit të sponsorshipit. Ndërsa vitet kalonin, ajo vazhdoi të rritej bashkë me World Vision, për t’u përfshirë më pas në programet për fuqizimin e të rinjve, si drejtuese e një prej grupeve IMPACT. Momenti kulminant i këtij bashkëudhëtimi ishte viti 2023, kur Katerina u bë pjesë e skuadrës së madhe të World Vision Albania, në pozicionin oficere finance. Një rrugëtim transformimi dhe shprese.

***

Sot Katerina është 25 vjeçe. Ndërsa kthen sytë nga e kaluara, mbërthehet nga emocionet. Kujton me detaje çdo moment të këtij rrugëtimi, por elementi që i ka mbetur thellë në kujtesë janë trajnimet dhe nismat e ndërmarra me grupet IMPACT.

“E them me bindje se eksperienca me grupet rinore IMPACT ka qenë jetëndryshuese për mua dhe të rinjtë me të cilët bashkëveproja. Aty kam fituar aftësi ndërpersonale dhe profesionale, të cilat shkolla nuk ti ofron,” – shprehet Katerina.

Deri në moshën 10 vjeçare, ajo nuk kishte patur kurrë komunikim me një person jashtë Shqipërisë. Përfshirja në programin e sponsorshipit, ishte një eksperiencë e re për Katerinën, e cila i shërbeu jo për të ‘thyer’ kufijtë, por edhe për të patur një këndvështrim të ri për jetën.

“Isha shumë e vogël. Kisha shumë pak informacion se çfarë ndodhte përtej qytetit tim të vogël. Përmes programit të sponsorshipit, pata mundësi të komunikoja me një mik nga ana tjetër e globit. Ishte diçka e veçantë, pasi bota nuk ishte aq digjitale sa është sot dhe komunikimi ishte shumë lokal. Me ndërmjetësimin e stafit të World Vision dhe nën monitorimin e prindërve, shkëmbeja në mënyrë periodike letra më mikun tim nga Hong Kongu, i cili ishte ndër të parët që më nxiti të fokusohesha tek shkollimi, ndjekja e ëndrrave dhe rritja e vetëbesimit, si mënyra më e mirë për të zbuluar potencialit tim të plotë. Një eksperiencë që zgjati disa vite. Akoma i ruaj letrat motivuese, stikersat dhe kartolinën që më ka dërguar dhe jam mirënjohëse,”- rrëfen ajo.

Ndërsa rritej, Katerina vazhdoi të ishte pjesë e programeve dhe aktiviteteve që World Vision Albania organizonte në qytetin e saj. E pasionuar pas shkencave egzakte, vajzës së shifrave i pëlqente që të përfshihej edhe në diskutime apo nisma komunitare, për të sjellë ndryshime pozitive në jetën e fëmijëve dhe të rinjve. Përfshirja me IMPACT Club e ka ndihmuar Katerinën që të zhvillojë njohuritë, aftësitë dhe të kuptuarit, për të qenë një qytetare aktive dhe për të dhënë kontributin e saj në jetën sociale e kulturore të qytetit të saj.

“Gjatë 2 viteve të para të gjimnazit nuk u përfshiva direkt në aktivitete me World Vision, por dëgjoja vazhdimisht për grupet IMPACT. Kishte diçka ndryshe tek ata. Fryma e bashkëpunimit, aktivitetet që bënin, nismat që ndërmerrnin, të gjitha kishin impakt. Doja shumë që të jepja kontributin tim në përmirësimin e jetës komunitare dhe e vetmja mënyrë ishte duke u përfshirë me këto grupe, ku u bëra drejtuese e grupit IMPACT në fshatin Podgorie. Rrugëtimi me World Vision dhe grupet IMPACT më ka përgatitur për jetën,”- na tregon Katerina, ndërsa thotë se ndikimin kryesor që ajo të bëhej pjesë e grupeve rinore e kishte patur motra e saj, e cila angazhohej me grupet IMPACT.

Gjatë kësaj kohe, Katerina u angazhua që thyente barrierat dhe steriotipet gjinore, pasi sipas saj vajzat nuk trajtoheshin në mënyrë të barabartë me djemtë. Nga komunikimet me prindërit, Katerina thotë se arriti që të bënte të mundur që edhe vajzat të ishin pjesë e këtyre grupeve.

“Në fshatin ku isha lidere e grupit IMPACT, vihej re diferencimi që shoqëria bënte mes djemve dhe vajzave. Vajzat nuk gëzonin të njëjtat të drejta si djemtë. Nuk lejoheshin të dilnin nga shtëpia. Fillimisht ishin vetëm 2 vajza që ishin pjesë e grupeve IMPACT, pasi pjesën tjetër nuk i lejonte familja. Në bashkëbisedimet që bëja me prindërit kam arritur që të përfshij në grupet IMPACT edhe vajza të tjera, por mentaliteti ishte shumë i fortë. Edhe në nismat që ndërmerrnim jemi fokusuar tek provimi i gjithëpërfshirjes, mundësive të barabarta dhe barazisë gjinore,” – kujton ajo.

Pas përfundimit të gjimnazit do të niste një fazë e re në jetën e Katerinës. Ajo nisi studimet Bachelor në degën Kontabilitet- Financë në Universitetin e Korçës, për 3 vite. Rezultatet e larta, i mundësuan asaj që ta vazhdonte edukimin akademik në Tiranë, për të ndjekur Masterin Shkencor në po të njëjtën degë, duke bërë kështu realitet ëndrrën e saj.

Ndërsa ndiqte studimet, përpiqej që edhe të punonte me kohë të pjesshme për të siguruar të ardhura për shpenzimet e saj, ndërsa pati mundësinë të bënte edhe një praktikë pune disa mujore në një zyrë kontabiliteti. Me përfundimin e masterit, edhe pse me rezultate të larta, sfidë do të mbetej punësimi në profesionin e saj. Për 2 vite, Katerinës iu desh të punonte jashtë profilit.

“Punoja si banakiere në një prej lokaleve të kryeqytetit, por gjithnjë mbaja një sy hapur me shpresën se do të gjeja një punë në profesionin tim. Dhe ndodhi që do të ishte sërish World Vision Albania që do të hapte një derë për mua. Rastësisht pashë në rrjetet sociale një pozicion të lirë për oficer finance. Edhe pse kontrata ishte për 6 muaj, pasi do isha zëvendësuese, vendosa të aplikoja. U gëzova shumë që më pas u përzgjodha për këtë pozicion,” – kujton Katerina, e cila prej 4 vitesh jeton në kryeqytet me dy motrat e saj më të vogla, ndërsa prindërit dhe motra tjetër e saj jetojnë në Maliq.

Kurioze për të mësuar gjëra të reja, e buzëqeshur, por edhe e gatshme për të ofruar ndihmën e saj në çdo kohë, brenda pak javësh Katerina arriti të integrohet plotësisht në skuadrën e World Vision Albania, duke dhënë kontribut të çmuar.

 “Katerina kishte një dëshirë shumë të madhe për të mësuar. Është këmbëngulëse dhe shumë bashkëpunuese. Në vetëm pak muaj ka arritur që jo vetëm të socializohet, por edhe të njohë në detajet programet tona,” – thotë Brunilda, ish-Menaxhere e Departamentit të Financës në World Vision Albania, e cila ka punuar ngushtësisht me Katerinën.

Edhe pse një rrugëtim vetëm 6-mujor, Katerina e quan këtë eksperiencë si më të veçantën, ndërsa shton se pavarësisht se ku do të punojë, ajo do vazhdojë të jetë e angazhuar në nisma sociale dhe komunitare që kanë në fokus fuqizimin e të rinjve, veçanarisht të vajzave.

“E nisa si fëmijë kontaktin me World Vision, më pas si drejtuese e një grupi të rinjsh dhe së fundmi e gjeta veten të punësuar në profesionin tim, pikërisht pranë kësaj organizate. Ajo që më pëlqen tek World Vision është fakti se i vlerëson të gjithë njerëzit, duke u ofruar mundësi të barabarta dhe një ambient ku ata mund të lulëzojnë,”- thotë ajo.

Kjo eksperiencë e ka ndihmuar Katerinën që të pozicionohet më lehtë në tregun e punës. Tashmë ajo është pjesë e sektorit privat, në profilin që ajo ka investuar gjithë jetën.

Në punën e saj, Katerinën e frymëzon një thënie e shqiptarës më të njohur në botë, Nënë Terezës; “Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”

“Nëse integritetin dhe dashurinë i ndërthurim me aftësitë profesionale, atëherë do të jemi të suksesshëm,” – e mbyll rrëfimin e saj Katerina.