Pikturo një ëndërr në sytë e tu

Xhemile

Asaj i pëlqen shumë piktura dhe në të ardhmen dëshiron të bëhet piktore ose arkitekte. Pikturon gjatë gjithë kohës, por pa lënë pas dore asnjëherë mësimet. Teksa vështron vizatimet e saj humbet në ëndrrat e një adoleshenteje që mundësinë e vetme për të kaluar kohën ka pakon e lapsave dhe ngjyrave dhe fletët e bardha; një arrati për tek e ardhmmja që ajo imagjinon. Ajo është një pasionante e pikturës, por për një kohë u përball me vështirësinë më të madhe me të cilën mund të haset një piktor, rrezikimi i shikimit.

Xhemilja është 15 vjeç dhe jeton me prindërit, vëllain më të madh dhe motrën e vogël në një fshat të Dibrës. Familja e saj jeton mes sakrificave dhe vështirësive, por gjithnjë duke vënë në plan të parë fëmijët. Prindërit janë të papunë dhe të ardhurat e vetme vijnë nga pensioni i invaliditetit të kryefamiljarit, para me të cilat familja duhet të paguajë borxhet, shkollimin e fëmijëve, e të sigurojë nevojat bazë. Toka e pakët bujqësore që kanë siguron vetëm prodhim për konsum familjar dhe shpesh do i gjesh të gjithë anëtarët e familjes duke punuar dhe duke iu shërbyer tokave vazhdimisht që prodhimi bujqësor të rritet. Xhemilja është një vajzë e ndrojtur, e heshtur dhe herë herë heziton të flasë, por ajo është një nxënëse me rezultate shumë të mira. Prej disa muajsh, ajo kishte shfaqur probleme me shikimin në shkollë. Nuk përqendrohej dot, afrohej shumë pranë librit kur lexonte dhe kishte dhimbje koke të vazhdueshme.

Çdo ditë që kalonte, gjendja bëhej më e padurueshme. Të shqetësuar, prindërit e dërguan për ekzaminim në spitalin shtetëror ku u diagnostikua me keratokonus në të dy sytë, një çrregullim progresiv i kornesë së syrit i cili nëse nuk kurohet mund të rezultojë deri në çarje të saj e dëmtimit serioz të shikimit.

“Ishte një moment tepër i vështirë kur mjekët më thanë që vajza duhet të kryejë një operacion që për ekonominë tonë ishte i papërballueshëm, por nëse nuk bëhej rrezikohej shikimi i vajzës. Për një kohë ata i ndaluan rreptësisht të lexojë dhe të përdorë telefonin,” – thotë Ademi, babai i vajzës, për brengën e madhe që shkaktoi lajmi.

Për familjen, ishte shumë i vështirë lajmi i marrë. Kaluan disa ditë dhe netë pa gjumë të shqetesuar nga fakti se si do ti jepnin zgjidhje problemit të vajzës dhe vazhdimisht prindërit mendonin se kush do ti gjendej pranë familjes për ndihmë.

“Në fillim isha shumë e frikësuar sepse mjekët u thanë prindërve se më rrezikohej shikimi. Isha në përfundim të klasës së nëntë dhe në atë kohë ishte sezoni i provimeve. Ishte periudhë shumë e vështirë për mua sepse mjeku i kishte porositur prindërit që të mos lexoja. Mësuesit dhe shoqja ime e ngushtë më ndihmuan shumë që të përgatitesha,”– tregon Xhemilja.

Përveç problemit shëndetësor të Xhemiles, pamundësisë për të përballuar kurimin, vështirësia për familjen u shtua kur u përballën me faktin që spitalet shtetërore nuk e bënin ndërhyrjen kirurgjikale për të cilën ajo kishte nevojë. Mundësia e vetme ishin spitalet private dhe kjo do të thoshte më shumë shpenzime. Vajzës i nevojiteshin dy seanca ndëhyrjeje (nga një për secilin sy). Fatmirësisht të afërmit u gjendën pranë familjes së Xhemiles dhe mundën të siguronin shumën për ndërhyrjen në njërin sy. Në një distancë kohore prej dy javësh duhej bërë dhe ndërhyrja për syrin tjetër, gjë të cilën familja as me borxhe nuk e siguronte dot.

“Unë trajtohem me pension invaliditeti pasi vuaj nga epilepsia dhe në pjesën më të madhe të vitit jam i papunë. Për operimin e parë na ndihmuan të afërmit, po për të dytin isha i pa shpresë se as me borxhe se arrija dot shumën,” – vijon babai Xhemiles.

Në fillimet e hapjes se zyrës së World Vision në Dibër, kishte një numër shumë të lartë të fëmijëve nga komunitete në nevojë të cilët u regjistruan për të marrë pjesë në programet që organizata zbatonte. Aktivitetet ishin të fokusuara kryesisht në informimin e fëmijëve për çështjet e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve, argëtimin nëpërmjet të mësuarit dhe socializimin me fëmijët e tjerë për të rritur dhe zhvilluar aftësitë e tyre. Në këto aktivitete është përfshirë dhe vetë Xhemilja.

“Unë bashkë me vëllain jemi përfshirë në aktivitetet e organizatës që në fillim kur është hapur. Ne kemi qenë të vegjël atëhëre por e mbajmë mend akoma sa shumë kënaqeshim në aktivitetet që bënim në shkollë dhe kampet verore. Mësonim shumë gjëra të reja dhe kishim më shumë shoqëri se më parë. Stafi i World Vision e kishin mësuar shqetësimin tim nga infermieret e fshatit dhe pasi kontaktuan me prindërit e mi, bënë të mundur ndërhyrjen në syrin tjetër. Dalëngadalë më duket se po kthehem në normalitetit dhe akoma nuk më besohet se kjo ëndërr e trishtë përfundoi dhe nuk e kam më brengën e shikimit që më shqetësonte për kaq muaj,”- na thotë Xhemilja gëzimplotë.

Sot Xhemilja nuk ka më dhimbje koke dhe mjekët janë shumë optimist për përmirësismin e gjendjes së saj shëndetësore. Tashmë ajo arrin të lexojë më shumë se 10 faqe libri pa ndaluar, të shohë televizor me kohë të limituar e më e rëndësishmja të pikturojë pa frikë dhe plot shpresë se një ditë në të ardhmen, ajo mund të bëhët piktorja dhe arkitektja e jetës së saj.

*Familja e Ademit është një nga familjet e shumta në Dibër që është mbështetur për ndjekjen e çështjeve të shëndetit të fëmijëve që janë identifikuar gjatë procesit të monitorimit të ecurisë së mirëqënies së fëmijëve.

Po ashtu familja e tyre janë mbështetur me inpute bujqësore e blektorale për t’iu krijuar mundësinë të gjenerojnë të ardhura nga prodhimi në bujqësi dhe të sigurojnë kushte më të mira jetese për familjen e tyre.