Tiranë, 20 nëntor 2020 – Kjo është dita kur duhet të ngremë zërin dhe të bashkohemi. Në Ditën Botërore të Fëmijëve, agjencitë dhe organizatat ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, UNICEF, Save the Children, World Vision dhe Terre des hommes, kanë bashkuar forcat për t’i thënë qeverisë shqiptare se megjithë punën e bërë deri tani, nuk është e mjaftueshme për fëmijët.
Ne kemi nevojë për mënyra të reja angazhimi, për të vënë fëmijët në qëndër të axhendës politike, me fokus të veçantë tek më të prekurit dhe më të pafavorizuarit.
Në këtë ditë të veçantë, mesazhe kyçe të ardhura nga vetë fëmijët nga e gjithë Shqipëria, janë shfaqur në ndërtesat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe tek Sheshi “Nënë Tereza” (Akademia e Arteve) nën sloganin #Imagjino një të ardhme më të mirë. Mesazhet e fëmijëve bëjnë thirrje për një Shqipëri më të mirë ku çdo fëmijë ka mundësinë të ketë një fëmijëri të lumtur, të rritet i shëndetshëm, të shkojë në shkollë, të mësojë dhe të ndihet i mbrojtur.
Pavarësisht progresit të arritur që nga miratimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1989, bota vazhdon të jetë një vend thellësisht i padrejtë për fëmijët më të varfër dhe më të pafavorizuar. Përvjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijës na jep mundësinë të reflektojmë mbi mënyrën se si jetët e fëmijëve janë transformuar dhe për miliona fëmijë jeta sot është më e mirë. Sidoqoftë, duhet që të gjithë së bashku të punojmë akoma më shumë për të arritur ata fëmijë që janë harruar dhe janë përjashtuar nga kjo mundësi. Duhet që të dëgjojmë mendimet e fëmijëve dhe t’i bëjmë ata pjesë kryesore në proceset e vendimmarrjes për çdo çështje që i prek ata.
Sfidat e shërbimeve në kujdesin shëndetësor,arsim,shërbimet sociale dhe ato për mbrojtjen e fëmijëve për shkak të COVID-19, kanë qenë dërrmuese për fëmijët dhe të rinjtë. Impakti i pandemisë do të ndihet në jetët e tyre edhe për shumë vitë në të ardhmen, edhe nëse vaksina gjendet së shpejti. Ndaj, mënyra se si qeveria shqiptare i përgjigjet sot rreziqeve të panumërta që paraqet pandemia për fëmijët dhe adoleshentët, do të përcaktojë të ardhmen e tyre.
Me krizën që vazhdon të thellohet, është thelbësore që më shumë kohë, burime njerezore dhe përpjekje të investohen, për të kuptuar më mirë ndikimin e plotë të krizës dhe në formulimin e praktikave të provuara dhe premtuese, për të përmbushur të drejtat dhe nevojat e tyre.
Le të bashkojmë forcat dhe TË VEPROJMË TANI për fëmijët, duke i bërë vajzat dhe djemtë – veçanërisht ata më vulnerabël – prioritet në ndërhyrjet kombëtare ndaj COVID-19. Ashtu si shumica e gjërave me vlerë, do të jetë sfiduese për t’u arritur. Por, për të ardhmen tonë të përbashkët, për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, është një sfidë për të cilën duhet të ngrihemi sa më shpejt që të jetë e mundur.