Pamundësia për të blerë librat nuk ia shuajnë dëshiren e madhe Entelës për të studiuar dhe për të shkuar në universitet. Entela Imeri është një vajzë 15 vjeçare që jeton në qytetin e Bathores me prindërit dhe dy motrat. Familja e saj ishte ndër të parat, që u shpërngul nga veriu për në qytet, ashtu siç bënë gjithë familjaret në vitet ’90 duke kërkuar mundësi më të mira jetese, por vështiresitë ekonomike e ndoqën familjen e saj edhe sot. Një ditë Entelës i bënë me dije se për shkak të asaj gjendjeje do duhej t’i ndalonin shkollën, nëqoftëse nuk do mund të gjenin një mënyrë për të siguruar libra dhe për të paguar shpenzimet.
Ajo bashkë me motrat janë rritur në një mjedis të varfër, pothuajse çdo dimër duke u rënë shiu mbi kokë dhe ndonjëherë duke mos pasur asgjë për të ngrënë. Gjatë një bashkëbisedimi të shkurtër me të Entela shprehet: “Stinët e ftohta të dimrit shpeshherë kanë qenë të papërballueshme për ne, aq sa më është dashur të ndërpres edhe shkollën nga gjendja jo e mirë shëndetësore dhe pamundësia për ta bërë rrugën në këmbë nga stuhitë e mëdha të shiut.
Babai, si kryefamiljar bënte të pamundurën për të gjetur një vend pune, madje është detyruar të shesë gjithë tokën e tij që të paktën të ndërtonte një shtëpi, sepse kasollja e dikurshme ishte e pabanueshme.
Entela sapo mbaroi klasën e nëntë, me rezultate shumë të larta dhe me dëshirën akoma më të madhe për t’i ruajtur këto rezultate. Por prindërit e Entelës në pamundësi të gjendjes ekonomike u detyruan t’i thonin, se nuk mund ta vazhdonte shkollën e mesme, sepse ata nuk i përballonin dot këto shpenzime.
Ajo është rritur me këtë gjendje pamundësie, madje herët a vonë e priste një përgjigje të tillë. Shpresat dhe përpjekjet e saj për studime nuk janë shuar kurrë. Kjo vajzë 15 vjeçare arriti t’i sigurojë vetë shumicën e librave që i duheshin, duke pyetur çdokënd qe njihte nëse mund ta ndihmonin me libra të vjetër.