Nga Lunida, Kurbin- Në mes të errësirës ka dritë

3_7

Ndodh që secili nga ne, shpesh herë të përballet me vështirësi, me sfida sepse sfidë është vetë jeta. Ngritjet dhe ngjitjet e jetës gërshetohen me dështimet dhe sukseset, lumturitë dhe zhgënjimet. Jeta nuk është lëndinë trëndafilash, ndaj edhe gjembat e saj thumbojnë fort, por duhet në jetë të jesh i fortë.

Unë, adoleshentja e ‘botës gri’ nuk mund të pres nga jeta të më servirë ëndrrat e mia. Jeta nuk ka asnjë detyrim të më japë atë që unë pres. Jeta ka servirjet e saj e ato janë menu të ndryshme. Kurrë nuk e kisha menduar se në pranverën e bukur do të mbylleshim, dhe me frikë do të qëndronim dhe me familjarët. Kurrsesi nuk imagjinoja që të qëndroja larg njerëzve, t`i shihja dhe mos t’i takoja…

‘Shpresa vdes e fundit’ – thonë. Ja pra që njeriu duhet të jetë i fortë e të qëndrojë duke vepruar.

Unë jam e fortë! Guxoj! Bota vërtetë është gri dhe jeta ndonjëherë bardhë e zi, por unë jetoj duke i dhënë çdo gjëje ngjyrat e duhura. Shpesh kujtoj thënien e gjyshit: “Sado e fortë të jetë era, mali nuk lëkundet.”  Pra, sado i fortë të jetë problemi apo i pamundur, unë nuk rrëzohem e as nuk dua dorëzohem. Çdo vështirësi kapërcehet. Nuk kanë thënë pa mend se ‘Zoti të mbyll një derë dhe të hap një dritare’.

Momentet që po kalojmë dhe situatat sa vijnë e po vështirësohen. Por, pavarësisht shkallës së vështirësisë së problemit  që ne po jetojmë për shkak të COVID-19 dhe humbjet e kësaj beteje nga shumë njerëz, mendimi se nesër do të jetë më mirë, dëshira për të rindërtuar një ditë më të bukur, të gjitha këto hapin një faqe të re që kuron plagët e së shkuarës dhe ngjall shpresë për të jetuar lumturisht e për të realizuar këtë gjë bazohemi te shpresa dhe besimi. Kështu ngrihesh përsëri në këmbë dhe kap kohën e humbur.

Vetëm me pozitivitet mund të rifitojmë shpresën se çdo gjë do të kalojë shpejt. Koha sot na ka vërë një kusht: TE JETOJMË. E shkuara është ikje pa kthim… E nesërmja nuk duhet parë si e pamundur… por si një mundësi… Nesër dita agon përsëri…