Bullizmi është një fenomen që ka ekzistuar prej shumë kohësh në shoqërinë tonë, por kohët e fundit duket se e kemi hasur dhe se po flitet për të. Shumë njerëz të komunitetit ku unë jetoj, ende nuk janë të informuar lidhur me këtë term, madje-madje nuk e dinë se çfarë përfaqëson ky fenomen në vetvete.
Bullizmi përfaqëson dhunën fizike, verbale dhe psikologjike, që ushtrohet mbi një person të caktuar. Është një fenomen që burgos brenda vetvetes veçanërisht adoleshentët, i bën ata të humbin vetëbesimin dhe të mendojnë se ata nuk janë të vlefshëm për asgjë. I tillë është edhe rasti i një nxënësi të një shkolle të Durrësit, i cili dëshiron që rrëfimi i tij të mbetet anonim.
Ai është një adoleshent 15-vjeçar, i cili është përballur me një shkallë të rëndë të bullizmit. Gjatë rrëfimit të tij ai është shprehur: “Për një kohë të gjatë, më shumë se 2 vjet, jam bulluar çdo minutë e çdo sekondë të jetës sime. Kam qenë një fëmijë, i cili që në fëmijëri ishte i ndrojtur, i turpshëm dhe nuk isha i aftë të bëja shoqëri, nuk isha i aftë të kisha shoqet dhe shokët e mi. Mbase nuk ishte totalisht faji im dhe i tipit tim. Pasi ishin vetë ata që nuk donin të shoqëroheshin me mua, më kthenin gjithmonë shpinën. Në fillimet e adoleshencës, ende pa mbushur 12-vjeç, u bëra pre e një grade të rëndë të bullizmit. Nuk kisha askënd me të cilin të shoqërohesha. Pavarësisht se isha i njëjtë dhe i barabartë me bashkëmoshatarët e mi, hasja përbuzje dhe ofendime. Ofendime të cilat lidheshin me pamjen time fizike. Unë isha një djalë i gjatë, por i dobët, shumë i dobët. Më ofendonin për vështirësinë time gjatë orëve të lëndëve shkencore. Fundja-fundit, nuk isha i aftë në atë fushë. Kudo që kaloja, në çdo cep të shkollës, më shihnin me përbuzje dhe sapo gjenin rastin më fyenin me fjalë nga më të këqijat dhe më ofendueset.
Po, ata ja kishin arritur qëllimit. Unë isha bërë viktima e tyre, viktima e përçmimeve të tyre, viktimë e vetë bullizmit. Nuk kisha më vetbesim në vetvete. Mendoja se do të ishte më e lehtë nëse jeta ime do të merrte fund… Çdo natë pendohesha pse kisha lindur. Qaja kur askush nuk më shihte, nuk flisja me askënd të familjes edhe pse vetë ata e kishim kuptuar se diçka nuk shkonte me mua…
Derisa vendosa që me ndihmën e senatit të shkollës, mësueses kujdestare dhe asaj koordinatore t’i jepja fund kësaj torture. Fillova të mos sillem më si më parë. Mësova t’ua mbyll gojën të gjithëve që më ofendonin, duke i bërë kështu të pendoheshin për gjithë torturat që më kishin shkaktuar. Unë ia dola!! Fillova të merrja pjesë në çdo aktivitet që zhvillohej. Angazhohesha për gjithçka dhe kështu po kuptoja se dalë-ngadalë shokët dhe shoqet filluan të më qëndronin pranë. Asgjë nuk ishte si më parë. Unë tanimë u bëra më social, i angazhuar kudo dhe i shoqërueshëm”- shprehet 15-vjeçari.
Kjo është një histori shumë e fortë dhe inspiruese. Është rast bullizmi, i cili mund të kishte përfunduar tmerrësisht keq. Mund të kishte rrëmbyer jeten e atij adoleshenti. Por fatmirësisht ndodhi e kundërta. I pyetur se çfarë mesazhi dëshiron të përcjellë për adoleshentet që janë në të njëjtën situatë 15-vjeçari është përgjigjur: “Të jesh i bulluar është vërtetë e vështirë dhe e papërballueshme. Mbyllja në vetvete apo dhënia fund e jetës nuk i japin zgjidhje këtij problemi. Të gjithë jemi të barabartë dhe në atë formë duhet të trajtohemi. Kurrë mos u mposhtni! Gjithsecili prej nesh ka më tepër vlera nga sa ne mendojmë. Ne jemi të ndryshëm, por të barabartë. Të gjithë mundemi të arrijmë çfarë ne duam. Thjesht na duhet punë dhe shumë vetëbesim.“- përfundon ai.