Kush fshihet në anën tjetër të monitorit? A mund t’i besojmë të “vërtetave” në rrjetet sociale?
Sot adoleshentë dhe fëmijët përballen me rreziqe të paimagjinueshme, shpesh pa asnjë mbrojtje, që i ekspozojnë ata në rreziqe që mund t’i kushtojnë atyre jetë… Ashtu si Denisa 16-vjeçarja nga Laçi, e cila në Facebook mendoi se njohu njeriun e zemrës, por rezultoi si një ndër momentet më të hidhura për të në jetë.
Në moshën 16-vjeçare, ajo vendosi të hapë një profil Facebook, si jo pak moshatarë të saj.
“Fillimisht pranoja çdo ftesë për shoqëri që me vinte pasi doja sa më shumë ndjekës. Një ditë me vjen një ftesë nga një djalë. Ai sapo I pranova kërkesën më shkruajti në mesazh. I hapa profilin që t’i shikoja foto, dukej shumë i bukur dhe nga fotot tregonte që bënte një jetë luksoze. Vendosa t’i kthej pergjigje. Kemi chat-uar në Facebook me njëri-tjetrin rreth një muaj e me pas këmbyem edhe numrat e telefonit. Kisha filluar ta pëlqeja, ndoshta edhe ta doja. Flisja me orë të tëra në telefon me të fshehurazi prindërve, sepse ata po ta dinin do me mbyllnin llogarinë e Facebook-ut, madje jam e sigurtë që do më merrnin edhe telefonin. Edhe unë vetë e dija që po bëja gabim, por tani që kisha filluar ta doja s’mundja ta ndërprisja komunikimin me të. Ai ishte 19-vjeç, ose me saktë kaq me tha se ishte.”- rrëfen ajo.
Aq e përfshirë ishte në këtë marrëdhënie me një njeri që nuk e kishte parë asnjëherë, sa vendos t’i tregojë shoqes së saj të ngushtë. Duke dëgjuar miken e saj të diskutojë kaq e përfshirë për një njeri që nuk e njihte aspak, shoqja e ngushtë u përpoq që ta binte që të tregohej më
Si mund të fliste me dikë që e njihte nga fotot në Facebook? Si mund tregohej aq e pakujdeshme?
Denisa nuk donte t’ia dinte, madje ajo vendosi të takojë djalin me të cilin kishte 6 muaj që komunikonte. I vetmit person që ishte në dijeni të takimi ishte mikesha e saj, e cila i kërkoi që t’I tregonte detaje për vendin dhe orën e takimit.
Takimi me atë që duhet të ishte njeriu i saj i ëndrrave do të shdërrohej në ankthin më të madh në jetën e adoleshentes.
“Në vendtakim pranë meje vjen një burrë rreth 40-vjeç. Më pyet nëse isha Denisa. E habitur i përgjigjem së isha unë. Ai prezantohet dhe më thotë se ishe personi që unë kisha shkruar dhe folur prej 6 muajsh. I gjithë vendi mu errësua, nuk e besoja dot… Ishte diçka e pamundur. Aq e pamundur, saqë mendoja ndoshta është ëndërr.”- rrëfen ajo.
Por ankthi dhe tmerri për 16-vjeçaren nuk kishte mbaruar…
“Vendi i përzgjedhur për takimin ishte paksa i veçuar dhe atë ditë s’kishte lëvizje. Ishim vetëm unë dhe ai. Unë tentova të largohesha dhe ai më kapi me forcë nga krahu dhe donte të me fuste në makinë, me forcë…”- tregon e dëshpëruar Denisa.
Në këtë moment dramatik në jetën e saj, dikush do të shfaqej për ndihmë..
“Gjatë gjithë jetës sime nuk kisha përjetuar shok më të madh…. Në atë moment mbaj mend që u shfaq, vëllai im i madh së bashku me babin dhe nënën time dhe policinë. Shoqja ime e ngushtë ju kishte treguar atyre gjithçka, u kishte dhënë adresën dhe orarin e vendtakimit. Shoqja që kisha filluar ta urreja, kur ajo më këshillonte në atë moment e adhurova. Asaj i detyrohem jetën time”- pranon ajo.
Që prej atij momenti tragjik, ajo e fshiu adresën e saj në Facebook dhe ende tani që kanë kaluar 6 vite “Denisa” nuk akseson në asnjë rrjet social.
“Ajo ishte eksperienca më e hidhur e jetës sime. Shpresoj që historia ime t’i vlejë sado pak duke shpresuar që askush tjetër të mos bëjë gabim që kam bërë unë.”- është mesazhi I Denisës, e cila shpreson që asnjë fëmijë të mos përjetojë një tmerr të tillë.