“Gjatë kësaj kohe pata mundësinë të njihem më shumë me shokët e mi dhe ndeshjet miqësore kanë zgjuar ndjenjën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit më shumë sesa atë të konkurencës. Tani ndihem si një shoqe më e mirë për të tjerët”, – u shpreh Melina 6 vjeçe.
3168 fëmijë nga 9 shkolla 9-vjeçare në Durrës, janë përfshirë në aktivitete argëtuese, sportive, psiko-sociale gjatë dy muajve të fundit.
Nën temën “Miqësia”, në kuadër të projektit “Bounce Back”, ose siç njihet ndryshe “Ditëlindja e Madhe”, fëmijët dhe të rinjtë e grupmoshave 3 deri në 17 vjeç u organizuan në grupe për të zhvilluar aktivitete rekreative dhe sportive. Aktivitetet për fëmijët u zhvilluan sipas grupmoshave të tyre.
238 vogëlushë të moshave 3-5 vjeç u mblodhën së bashku dhe krijuan një mini kinema të vogël ku ndoqën filmin e preferuar “Masha dhe Ariu”, si dhe formuan puzzle me foto për miqësinë.
“Kjo është dita më e lumtur e jetës sime, sepse më duket sikur po festoj ditëlindjen time në mesin e shokëve të kopshtit”- thotë Asja, 5 vjeçe.
Rreth 1300 fëmijë nga 6- 8 vjeç krijuan kartolina të personalizuara me dedikime për miqtë e tyre të ngushtë , dhe më pas i vendosën në këndin e krijuar “Miku Sekret”.
949 fëmijë nga 9-12 vjeç, zgjodhën të shprehin talentin e tyre nëpërmjet pikturës dhe esesë duke i sjellë së bashku në formën e ekzpozitës në “Këndet e Miqësisë” në 9 shkolla ku World Vision punon prej vitesh në Durrës.
Adoleshentët dhe të rinjtë, 13 deri në 17 vjeç zhvilluan ndjeshje miqësore sportive me mesazhin “Të luajmë për Miqësinë”.