Lajthi në tokën e dibranëve

IMG-20180511-WA0007

Pasi përfundoi shkollën e lartë për administrim biznes në Dibër, Kudreti vendosi të emigrojë sepse nuk po gjente dot një punë. Megjithatë pas 5 muajsh vendosi të rikthehej sepse në Itali dhe Greqi po punonte tokat e të tjerëve, ndërkohë të tijat i kishte lënë djerrë. Sapo u kthye në Shqipëri u vu në kërkim të tjera mundësive.

“Që herët babai im ka  punuar në emigrim,  por  ka 3 vite që ai vuan nga hernia diskale dhe e ka të pamunudr të punojë. Motra  ime është studente në Shkoder, kurse mua dhe mamit na lindte detyra të siguronim të adhura për të mbajur familjen dhe shkolluar motrën. Të ardhurat e vetme i kemi nga bujqësia. Prej gati 1 viti jam punësuar në ndërmarrjen e ujësjellësit në Peshkopi  po përsëri të ardhurat nuk mjaftojnë për të përballuar sfidat. Ndaj aplikova për projektin e lajthive në World Vision. Isha një ndër fituesit  dhe të gjithë në shtëpi po punojmë që 165 fidanë që morëm të zenë. Pastaj për dy vjet besoj se hyjnë në prodhim dhe shpresojmë të na ecë mbarë” – tregon 25 vjeçari.

Ka nisur të vrapojë për të kapur ritmin që jo pa vështirësi po e koordinon. Kujdeset për familjen, motrën, nxiton për në punë, vrapon për t’u marrë me punët e fshatit e më pas të punojë tokat që të mbjellë fidanët. Na thotë se projekti i lajthive është një mënyrë shumë e mirë se si të gjithë në familje të vetëpunësohen. Për të, kjo është mundësia që nuk duhet humbur sepse vetëm kështu mendon se do ia dalin të rrisin të ardhurat në familje e për pasojë të tejkalojnë vështirësitë që  herë pas here iu ‘zenë rrugën’.

Por gjithsesi nuk do e lerë me kaq sepse ka plane të tjera për të ardhmen.  

“Përderisa kam mbaruar administrim biznes, dua që mundësitë që ofron Dibra në zhvillimin e agroturizmit  t’i shfrytëzoj duke vënë në punë të gjitha aftësitë e njohuritë e mia në zhvillimin e një biznesi. Në të ardhmen do doja që përveç fidanëve të lajthive të investoja dhe në produkte të tjera siç mund të jenë turshitë apo kompostot”- mendon Kudreti për të ardhmen e tij.

Është 26 vjeç, por nuk sheh vetëm punën e tij. Kur u përfshi në World Vision thotë se njohu njerëz të rinj, krijoi një grup të ri shoqëror dhe dita e tij ishte shumë më ndryshe se më parë.

Ka qenë pjesë e kampeve verore me fëmijët dhe ka drejtuar edhe grupin e të rinjve të World Vision, të quajtur SKYE Club në Dibër. Bashkë me ta ka ndërmarrë shumë nisma në komunitet, nis djaloshi të na tregojë për një ndër angazhimet e tij: “Ne kemi ndihmuar shumë familje të varfra në zonat tona. Jemi bërë bashkë gjithë vullnetarët dhe kemi dalë në komunitet duke mbledhur kontribute, rroba, para, ushqime dhe me pas ua kemi shpërndarë familjeve më në nevojë. Kemi kontribuuar edhe në hapjen e një kopshti në një nga fshatrat e Dibrës ku skishte pasur më parë. Mblodhëm kontribute nga komuniteti, nga komuna dhe me ndihmën e World Vison rregulluam një nga godinat në fshat. Ia arritëm, kopshti u hap. Kishte 30 fëmijë që shkonin shkonin çdo ditë.”

Ai beson se jetojmë në një botë ku njerëzit duhet jo vetëm të kërkojnë e të marrin, por edhe të japin diçka nga vetja. Ashtu thotë se ashtu siç World Vision e ndihmoi atë dikur, por edhe sot me fidanët; edhe ai duhet të ndihmojë me sa mundet komunitetin e tij.

70 familje janë mbështetur me fidanë lajthie në zonën e Dibrës. Përmes projektit të fuqizimit ekonomik, familjet më në nevojë kanë qenë në fokus të fillimit të këtij projekti në zonë. Një ndër kategoritë që kanë përfituar nga kjo nismë janë familjet me një sasi toke të kufizuar. Në këtë mënyrë ata kanë mundësi vetëpunësimi dhe zhvillimin e një biznesi familjar.

Drejtoria e Bujqësisë ka qenë pjesë e procesit në identifikimin e zonave me tokë të përshtatshme për kultivimin e lajthive. Nga ana tjetër është bashkëpunuar për kontaktimin e fermerëve, realizimin e takimeve informuese mbi këtë proces dhe plotësimin e dokumenteve për aplikim.