Ku ka ëmbëlsira, ka gëzim!

Foto Donatilda

Ëmbëlsirat janë gjithmonë të pranishme në ditët tona të gëzueshme, festa apo ditëlindje, e jo rrallëherë edhe kur duam të kërkojmë falje, të rikuperojmë për një kohë të shpenzuar larg apo të ngremë humorin.

Donatilda, 17 vjeçe është në vit të tretë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër. I pëlqejnë ëmbëlsirat dhe ka dëshirë që të bëhet pastiçiere. Zgjedhje që erdhi sa nga pëlqimi ndaj të ëmblave po aq nga dëshira  për një profesion të sigurtë në të ardhmen. Gjithashtu, ajo dëshiron që nëpërmjet profesionit të saj të ardhshëm të mund të jetë pjesë e gëzimeve e festave familjare. 

“Më pëlqen shumë fusha e turizmit, prandaj zgjodha një shkollë profesionale. Për më tepër është një mundësi shumë e mirë punësimi,” – tregon e reja, edhe mbi arsyen se pse u bë pjesë e kësaj shkolle.

Tre vite më parë, kur dëgjoi që ishin hapur aplikimet ajo nuk nguroi për t’u regjistruar. Kishte dëshirë të mësonte gjëra të reja dhe praktike, por njëkohësisht pati edhe mbështetjen e prindërve për këtë ëndërr të sajën.

“Dëgjuam për shkollën dhe talentet që kishte nxjerrë. Isha entuziaste për vajzën sepse si prind mendoj që me një profesion e ardhmja është më e sigurtë”- shprehet Mira e ëma e Donatildës, e ndërsa Donatilda shton – “Për mua fjala turizëm të nxit të kesh eksperienca të ndryshme me kultura të ndryshme. Nga vizitorët mund të mësosh tradita edhe zakone si edhe të përçosh traditat vendase”.

Donatilda është kurioze, i pëlqen të eksplorojë, por ëmbëlsirat nuk janë i vetmi pasion i saj. Përveç  të ëmblave ajo di edhe të bëjë punime dore të cilat i ka mësuar nga gjyshja që i punon ato në shtëpi.  Megjithatë nuk mjaftohet me kaq sepse vazhdimisht është duke kërkuar gjëra të reja.

Në dhjetor të vitit 2020, vajza shkodrane u bë pjesë e grupit të të rinjve të angazhuar në projektin: “Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit”, që synon t’iu mësojë të rinjve aftësi të reja, t’i përgatisë për tregun e punës si dhe të ndikojë në rritjen ekonomike dhe uljen e problematikave sociale në komunitetet e tyre.

“Kam mësuar mbi aftësitë e komunikimit apo si të punoj në grup. Jam rritur në mënyra që nuk e kisha menduar më parë. Përgatitja për karrierrën është një zgjedhje jo e lehtë për të rinjtë, por unë tashmë jam një hap para”- shprehet Donatilda dhe nuk heziton t’iu sugjerojë bashkëmoshatarëve të zgjerojnë njohuritë duke u bërë pjesë e trajnimeve apo aktiviteteve të ndryshme.

 

Një nga eksperiencat që ajo veçon janë trajnimet mbi aftësitë për jetën ku nxënësit kanë marrë njohuri mbi komunikimin, zgjidhjen e konfliktit, inovacionin, menaxhimin e kohës e shumë të tjera.

“Trajnimet e Soft Skills janë shumë të rëndësishme për nxënësit sepse ato zhvillojnë aftësitë e buta të cilat nuk janë të përfshira në kurrikulën e shkollës. Këto aftësi, duke u bashkuar me ato profesionale, nxjerrin në treg punonjës të kualifikuar” – na thotë mësuese Stejsi.  

50 të rinj dhe të reja nga shkolla e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër janë të përfshirë në projektin “Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit”. Ky projekt synon që të rinjtë në zonën kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi të kenë akses në shërbime, tregje, infomacion si edhe të përfshihen në procesin e të mësuarit dhe zhvillimin e vazhdueshëm, duke eksploruar ide biznesi në fushën e turizmit.   

“Gjatë kohës që kam qenë e angazhuar në projekt ndër të tjera kam mësuar mbi bashkëpunimin, por edhe mbi idetë apo planin e biznesit. Më pëlqen që të bëhem një pastiçiere, ose të kem një biznes dhe mendoj se të gjitha njohuritë e përftuara do të jenë të vlefshme dhe do të më shërbejnë. Është një përvojë fantastike,”- e mbyll rrëfimin e reja shkodrane.

Sytë e Donatildës janë plot shpresë. E reja dëshiron ta ndërtojë të ardhmen në vendin e saj dhe me hapa të vegjël po ecën drejt ëndrrave dhe së ardhmes.

Ashtu si çdo përbërës është thelbësor për një ëmbëlsirë të shijshme, çdo njohuri e marrë gjatë rrugëtimit të përgatitjes për karrierën ka vlerë të shtuar dhe të shpie më pranë realizimit të ëndrrave.  

“Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit” financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit IPA II, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale (CFCU) e Malit të Zi dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me organizatën Horizonti i Ri, Institucioni Publik Shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin dhe shkollën “Hamdi Bushati” në Shkodër.