Në Shqipëri, sipas studimit të World Vision, 28.2% e fëmijëve raportojnë së punojnë për të siguruar të ardhura në familje. Thënë ndryshe, në Shqipëri, 1 në 3 fëmijë detyrohet të heqë dorë nga fëmijëria, të heqë dorë nga rritja normale, të heqë dorë nga lojrat, pasionet dhe e gjithë kjo sepse duhet të punojë. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve këto shifra alarmante, sjellin në vëmendjen e të gjithëve realitetin tronditës.
Ashtu si trondit edhe historia e 7 djemve që jetojnë në rrethinat e Laçit, mes varfërisë.Të vetmet të ardhura në familje janë 8000 mijë lekë, të përkrahjes sociale.
Klajdi 11 vjeç është djali më i madh i familjes. Ai punon çdo ditë, shet cigare, të cilat i ati i dredh vetë. Por krahas Klajdit, edhe tre djemtë më të vegjël të familjes, çdo ditë rreth orës 14.00 nisen për në Milot, në këmbë, për të shitur cigare. Në jo pak raste, ata kthehen rreth orës 21.00 të mbrëmjes.
“Kush është ajo nënë që nuk ka merak për fëmijët kur i qit rrugëve, me shit paketa se nuk e di se çfarë njerëzish has”, – tregon Elona, nëna 32 vjeçare e 7 fëmijëve.
Ndodh që të rriturit i qëllojnë gjatë kohës që qëndrojnë në trotuar duke shitur rrugës. “Bën të fortin dhe më gjuajti”, – tregon Nebi 10-vjeçar.
Ata nuk kanë të ardhura për të blerë lodra. Por nëse do të kishin, ajo çfarë do të dëshironin të blinte Kledi 7-vjeçar, është një pistoletë.
Edhe pse pasditet janë ndryshe nga ato të shumë moshatarëve e tyre, sepse çdo ditë ata janë të detyruar të shesin paketa, dëshira për të mësuar nuk i mungon. Në shkollë ata marrin nota të mira.
“Do të rriten, do të shkollohen, të bëhen njerëz të denjë për veten e vet. Rriten me sakrificë, por të paktën të bëhen dikushi në jetë ”, – thotë e ëma Elona, 32 vjeç.