Kam mësuar se jam e veçantë

2_74 (1)

Monda është një vajzë 12 vjeçare, bjonde e bukur, me sy bojëqielli dhe me një buzëqeshje mbresëlënëse. Ajo e do shumë shkollën dhe përpiqet fort të ketë rezultate të mira. Ajo jeton me prindërit, me vëllain dhe motrën. Familja jeton në Durrës, në një familje me të ardhura të pakta. Ajo ka lindur me aftësi të kufizuara në shikim. Me njërin sy ajo nuk sheh fare. Për këtë arsye ajo ka qënë  një fëmijë  izoluar pasi ndihej ndryshe nga të tjerët.

“Unë kisha frikë të flisja, të tregoja veten. Mendoja se çdokush më shihte dhe më gjykonte për aftësinë time të kufizuar” – thotë Monda.

Prej dy vitesh ajo është pjesë  e programit të sponsorship-it të World Vision. Ajo dhe sponsori i saj  kanë një marrëdhënie shumë të veçantë. Sponsorja e saj e inkurajon gjithmonë Mondën,  duke i treguar asaj se është speciale dhe se paaftësia e saj mund të kthehet në një mundësi për të. “Mikesha ime në  Amerikë ishte e para që më tha se jam e veçantë dhe unë fillova ta besoj që kështu jam” – thotë Monda duke buzëqeshur.

Vitin e kaluar Monda është përfshirë në grupin e Mbrojtjes së Fëmijëve të zonës. Së bashku me 10 të tjerë të rinj ata kanë mësuar për të drejtat e tyre, sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, si të ngrenë zërin për fëmijët me aftësi të kufizuara,  aktivitete të cilat e kanë ndihmuar Mondën të ndihet e barabartë dhe e fuqizur. Përmes këtyre aktiviteteve ajo ka fituar shumë vetbesim. “Tani unë mund të qendroj përpara njerëzve dhe të flas. Nuk kam më frikë të flas për diskriminimin” – thotë Monda.

 “Ëndrrat e mija më të mëdha janë të vazhdoj arsimin e lartë dhe të mbroj njerëzit. Dua  t’i ndihmoj ata të gëzojnë të drejtat e tyre dhe të ndihen të veçantë” –  shton Monda.