Jeta e Mirës, si një tablo që i ka të gjitha ngjyrat

Mira jeton në Korçë. Ajo është nënë e dy fëmijëve, një djali 12 vjeç dhe një vajze 9 vjeçe. Familja e saj është nga rastet që ka përfituar mbështetje të shumëanshme nga World Vision Shqipëri në kuadër të programit RE-INVEST: që nga ndihma me pakot ushqimore, përfshirje të fëmijëve në orët lëndore shtesë pas mësimit, mbështetje të mëtejshme për kurset e pikturës së vajzës dhe një investim në start up për biznesin e saj.

Bashkëshorti i Mirës e ka provuar gjithmonë emigrimin, pasi për të duket sikur jeta nuk ofron alternativë tjetër për të mbajtur familjen. Në vitin 2014, ata patën guximin të niseshin familjarisht për në Gjermani me shpresën e madhe se do të fitonin statusin e azilantit. Por kjo nuk ndodhi me familjen e Mirës nga Korça.

“Në Gjermani qëndruam për dy vite. Në atë kohë vajza ishte 1 vjeç e gjysmë. Në fillim kemi qëndruar në kamp, më pas në hotel dhe më vonë në shtëpi,”- tregon Mira.

Ajo që i ka bërë përshtypje nga Gjermania është mënyra se si i trajtojnë emigrantët, që pavarësisht rrugës sesi mbërrijnë atje, u jepen gjithmonë alternativa, u krijohen kushte dhe trajtohen mirë, duke respektuar kështu edhe të drejtat e njeriut.

“Kemi mbetur shumë të kënaqur për nga mënyra se si na trajtuan. I kishim të gjitha kushtet, pavarësisht se ku ishim, në kamp apo shtëpi me qira. Në kamp kishim mjekë në dispozicion dhe ata të përgjigjeshin për çdo gjë që kishe nevojë dhe kjo gjë më ka bërë përshtypje,”- rrëfen Mira, e cila vinte nga një realitet krejt tjetër.

Por, pas dy vitesh qëndrim në Gjermani, afati përfundoi dhe shteti gjerman vendosi që ata të ktheheshin. Kthimet si ky nuk janë asnjëherë të lehta. Sidomos, pasi ke parë ‘‘parajsën’’.

“Sapo erdhëm në Shqipëri, u përballëm me një sërë problemesh, mbetëm pa punë, ndërsa në shtëpi na ra zjarr. Unë dhe fëmijët shpëtuam, vjehrra ime u dogj. U kurua për një vit nga plagët e marra dhe më pas vdiq. Ishte shumë e dhimbshme për ne ai moment dhe për pasojat që la pas”.

Gjatë kësaj kohe, bashkëshorti i Mirës, ngulmonte tek ëndrra gjermane, duke shkuar herë pas here në Gjermani për të punuar me sezone. Por, telashet e tyre nuk kishin të sosur.

Gjatë kohës së qendrimit në Gjermani, ndodhi një aksident pasojat e së cilës ata do t’i kuptonin më vonë.

Vajza një ditë përplasi kokën në derë, por në atë kohë nuk e morëm shumë seriozisht. Na u duk një incident i lehtë, pa dëme.  Kur erdhëm në Shqipëri dhe e çuam në kopësht, vumë re se nuk mbante mend asgjë nga ato që mësonte. Shkoi në klasë të parë, përsëri asgjë. As shkronja, as numra, as emra. Në vizitën që i bëmë mjeku nisi të dyshonte se mund të kish pasur më herët ndonjë goditje në kokë. Aty bëmë lidhjen e asaj përplasjeje që pati në Gjermani. Na thanë që do shumë kohë të rikuperohet dhe do shumë terapi”, tregon Mira, nëna e Emanuelës, 9 vjeçe.

Pasi problemeve ekonomike iu shtuan dhe problemet me vajzën, Mira nisi të kërkojë ndihmë kudo. E vetmja organizatë që u përgjigj ishte World Vision Shqipëri, si fillim me pako ushqimore dhe më pas me sigurimin e mundësisë që vajza e tyre e vogël të ndiqte një klasë speciale pas mësimit, si pjesë e programit mbështetës After School për integrimin e fëmijëve të familjeve të rikthyera duke zhvilluar orë speciale pas orarit të shkollës. Duke i vënë në dispozicion një mësuese mbështetëse e cila do e ndihmonte në realizimin e detyrave, por edhe në rritjen e aftësive të të nxënit dhe duke nxitur pasionet apo dëshirat e saj, rezultatet janë të prekshme. Emanuela tashmë ka nisur të socializohet dhe të ndërveprojë me fëmijët e tjerë.  Në 3 muaj After School, rezultatet ishin të tilla aq sa do e vinte re edhe mjeku i Emanuelës në vizitën e radhës.

“Pas mësimeve në after school, ka patur goxha përmirësim. Madje kur shkuam për të bërë vizitën e radhës te mjeku, u habit. Nuk mund ta besonte se tërë ai përmirësim ishte arritur vetëm me kujdesje pas-shkollore, tregon Mira.

Megjithatë ajo e pranon se puna që duhet bërë me vajzën e saj kërkon shumë durim. Ata kanë vënë re se Emanuela ka një talent të spikatur në pikturë ku përsëri World Vision Shqipëri ka mundësuar kursin e piktures falas, si dhe materialet që përdor për të pikturuar.

Piktura jo vetëm e bën Emanuelën të ndjehet mirë, por talenti i saj është ekspozuar dhe në ekspozitën e pikturës së një grupi fëmijësh tek Qyteza e Fëmijëve.  WorldVison Shqipëri u është gjendur vazhdimisht pranë me ndihma pakosh ushqimore, por Mira e ka kuptuar që është shumë e rëndësishme që të punosh vetë.

Ndaj, ajo i është kthyer shoqes së saj të pandarë prej shumë vitesh, makinës qepëse.

Falë programit RE-IN-VEST, një nismë e qeverisë gjermane dhe GIZ, e që synon të ndihmojë në mënyrë specifike emigrantët e kthyer në Shqipëri, Mira përfitoi mbështetje për start up, pra për hapjen e një biznesi të vogël. Falë kësaj mbështetjeje, ajo ngriti një fasoneri në kushtet e shtëpisë, ku i janë siguruar përveç dy makinave qepëse, edhe baza materiale, hekuri e tavolina për hekurosje, si dhe metrazhet.

Tashmë Mira qep çanta dhe maska, të cilat i shet në treg. Pavarësisht vështirësive të kaluara, Mira, bashkëshorti dhe fëmijët duken shumë të bashkuar me njëri-tjetrin. Ne kur jemi në vështirësi kemi më shumë dashuri mes veti. Kjo na ka mbajtur të bashkuar.

Ndoshta, dashuria është përgjigja për tejkalimin e problemeve, e jo Gjermania. Sigurisht dhe me pak ndihmë nga një organizatë që të kupton e të rri pranë. Këtë gjë Mira ka nisur ta ndjejë në jetën e vet.