Jepen 150 mijë euro për fëmijët me aftësi të kufizuara në Shqipëri

Tiranë, 27 Qershor, 2014

Deklaratë shtypi

Jepen 150 mijë euro për fëmijët me aftësi të kufizuara në Shqipëri

 

Tiranë –  Mijëra fëmijë me aftësi ndryshe, nga fshatrat dhe periferitë e qyteteve të Shqipërisë, do të kenë më shumë mundësi të shkojnë në shkollë, të mbrohen dhe të edukohen në formën e duhur. Kjo do të mundësohet nga një projekt i ri me vlerë 150 mijë euro, dhënë nga Bashkimi Europian. Ai u prezantua sot në Tiranë gjatë një  konference kombëtare, organizuar nga World Vision  në bashkëpunim me organizatat MEDPAK dhe Partnerë për Fëmijët, Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve si Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Në konferencë morën pjesë kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Clive Rumbold, zj. Nora Malaj, zëvendësministre e Arsimit dhe e Sportit dhe zj. Bardhylka Kospiri, zëvendësministre e Mirëqenies Sociale.

Sipas organizatorëve, përfituesit e parë do të jenë 200 fëmijë me aftësi ndryshe që jetojnë në rrethet e Dibrës dhe Elbasanit, të cilët janë nxënës të 10 shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të këtyre zonave. Falë projektit, mësuesit, prindërit, nxënësit e tjerë të 10 shkollave, përfaqësues të sistemit arsimor dhe të pushtetit lokal do të marrin njohuritë e nevojshme se çfarë të bëjnë që këta fëmijë të edukohen në mënyrën e duhur, si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Arsimi gjithëpërfshirës siguron që cdo fëmijë të edukohet pa u ndjerë i përjashtuar dhe i përbuzur. Më pas, përgjatë dy viteve të ardhshme, projekti do të ndikojë mbi jetën e 48, 840  fëmijëve që kanë një formë aftësie ndryshe në Shqipëri një pjesë e madhe e të cilëve llogaritet të jenë jashtë shkollave.

 

World Vision, MEDPAK dhe Partnerë për Fëmijët punojnë prej vitesh në arsimin gjithëpërfshirës, për të mundësuar që çdo fëmijë me aftësi ndryshe të shkojë në shkollë dhe të edukohet në mënyrë cilësore.  “Ky projekt së pari do mbështesë zbatimin e ligjeve për arsimin gjithëpërfshirës dhe për mbrojtjen e fëmijëve, duke ngritur zërin e tyre në nivel kombëtar, bazuar në praktikat e mira që do arrihen në Dibër dhe Elbasan”, – tha Filip Harris, drejtor operacional i World Vision.

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Clive Rumbold, tha se të drejtat e fëmijëve me aftësi ndryshe janë prioritet për këtë institucion dhe kjo është arsyeja se përse projekte të ndryshme, në këtë fushë, po financohen në shkallë të gjerë nga BE.   

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj dhe ajo e Mirëqënies Sociale, Bardhylka Kospiri përshëndetën projektin dhe theksuan se do punojnë për përmirësimin e ligjeve dhe dhënien e shërbimeve konkrete dhe se fëmijët më aftësi ndryshe janë në qendër të strategjive të dy ministrive.  

Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni:

Elda Spaho Bleta

Communications Advocacy Officer

World Vision in Albania & Kosovo

Office Phone: +355 4 22 58 333/4, Mobile: + 355 68 5015224

Email:elda_spaho@wvi.org

Main office address: World Vision, “Asim Vokshi” Street, USLUGA
Complex, Tirana, Albania
Mailing address: P.O.Box 1725 Tirana, Albania