Në Libonik të Korçës, prej disa vitesh nuk gjen më toka të lëna djerrë. Gati i gjithë fshati i ka kthyer sytë dhe shpresat tek prodhimet e tokës. Ivana Demiri, para disa vitesh u gjend e pashpresë dhe pa asnjë mundësi për të ndihmuar fëmijët e saj.
“Kam punuar në rrobaqepësi. Më pas u bëra shtëpiake, sepse fëmijët ishin në rritje dhe kishin nevojë që t’u qëndroja tek koka. Më pas dëgjova që disa fermerë po blinin bagëti dhe se ishin shumë të kënaqur me fitimin, kështu që rrezikova dhe bleva një lopë. Në atë kohë nuk kisha njohuritë që kam sot për biznesin, kështu që dështova. Nuk u dorëzova, këmbëngula dhe bleva dy dhi, të cilat dalë ngadalë po i jepnin rezultatet”- tregon për fillimet e saj, Ivana.
Ajo ishte e vendosur që të ecte përpara, t’ia dilte dhe që të mund ta bënte këtë i duheshin njohuri. Për këtë arsye ajo vendosi të përfshihej në projektin “Lehtësimi i Biznesit”, nga World Vision.
“Brezi ynë gjatë viteve të demokracisë mbeti i pashkolluar, fermeri sot është i pashkolluar dhe një nga gjërat më të mira që më ka bërë përfshirja në projektin e Lehtësimit të Biznesit është investimi në njohuri. Ku e dija unë së çfarë ishte plani i biznesit? Aq më tepër të dija se ç’është vizioni i një strukture si Këshilli i Biznesit, çfarë janë strategjitë, partneritetet, çfarë parashikon ligji e me radhë.
Nuk kam lënë material të Lehtësimit të Biznesit pa lexuar, kam këmbëngulur që gjithmonë të jem e mirëinformuar për fushën në të cilën punoj”- rrëfen me shumë pasion për gjithçka ka mësuar 56-vjeçarja.
Sot, pas kaq vite përkushtim si fermere, pas shumë rrisqesh të ndërmarra Ivana ka arritur të 3-fishoj sipërfaqen e tokës që ka marrë me qira për të mbjellë. Një vit më parë ajo kishte vetëm 4 dylym tokë, ndërsa tani ka arritur në një hektar.
“Falë projektit me World Vision kam arritur të siguroj shumë herë më shumë të ardhura për familjen time nga çfarë mund të kisha imagjinuar ndonjehërë. Mësova se si të aplikoj për një kredi dhe kështu arrita të blej derrat, të cilët më dhanë një mundësi të mirë për të vazhduar përpara me planet që kam për biznesin tim”- tregon me krenari Ivana, e cila sot ia ka dalë mbanë të jetë e vetmja kryetare grua e Këshillit e Biznesit.
Ajo është kujdesuar që edhe fëmijët e saj, t’i përkushtohen ashtu si ajo fermës. Djalit, i ka kultivuar dashurinë për tokën, për fermën dhe ai nuk e ka për turp të punojë në tokat që kanë marrë me qera.
Ivana nuk është nga ato gra që mjaftohen me pak, ajo ka si qëllim që të vazhdojë t’a rrisë akoma biznesin dhe pse jo edhe për të krijuar mundësi për vende pune edhe për gra të tjera.
“Gruaja ka forcë të jashtëzakonshme, vetëm duhet të dojë që të përfshihet dhe nuk ka gjë që e ndalon. Një grua e edukuar e bën një shoqëri më të mirë. Sa më të kulturuara të jenë gratë, aq më e mirë familja, aq më e mirë shoqëria”- këto janë fjalët të cilat Ivana, një grua energjike dëshiron që të gjitha gratë, vajzat, burrat, djemtë, ligjvënësit, ligjzbatuesit duhet të dëgjojnë.