Inaugurohet Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Kurbin

Në Kurbin është inauguruar Qendra “Fuqizojmë Komunitetin”, e cila ofron shërbime sociale të integruara dhe aktivitete të ndryshme për fëmijët, adoleshentët, të rinjtë, si dhe grupet në nevojë të prekura nga përjashtimi social, diskriminimi apo abuzimi.

Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner, Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, përfaqësuesja e Përhershme të UNDP Shqipëri, Monica Merino, si dhe Drejtuesja e USAID Shqipëri, Mischere Kawas, si dhe drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi.

Gjithashtu, ishin të pranishëm edhe përfitues të shërbimeve multisektorale që ofron qendra, prindër, fëmijë, të rinj, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale.

Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Kurbin është një nga tre qendrat të ngritura përmes projektit “Fuqizojmë Komunitetin”, financuar nga USAID Shqipëri dhe zbatuar nga UNDP Albania. Në Kurbin, qendra menaxhohet nga organizata World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkinë Kurbin.

Programi është gjithashtu në linjë me objektivat e BE-së në fushën e mbrojtjes dhe përfshirjes sociale që shkon si ndihmë drejt Shqipërisë për të përmbushur detyrimet e saj sipas ligjeve të BE-së.