Fermerët e Librazhdit kanë tashmë një ambient i cili do të shërbejë për grumbullimin, magazinimin, promovimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale që kultivohen në këtë bashki. Prodhimet e fermerëve të kësaj zone deri më tani kanë gjetur dritën e shitjes dhe tregtimit vetëm brenda një rrethi të ngushtë, siç pohojnë vetë ata.
Lajmin për ndërtimin dhe vënien në funksion të Pikës së Grumbullimit, ata po e shohin si një mundësi të mirë, të qendrueshme dhe afatgjatë për të siguruar një treg të përbashkët edhe përtej komunitetit, fshatit dhe bashkisë.
Deri tani janë identifikuar 12 pika shitjeje në zona jashtë Librazhdit për shitjen e produkteve dhe është hartuar një Plan Biznesi i mirëfilltë për funksionimin e kësaj qendre në tri vitet në vazhdim. Investimi është bërë i mundur në kuadër të projektit “Jo drogë! Pikë Grumbullimi! Një alternativë e qendrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet në Librazhd” i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Bashkia Librazhd në bashkëpunim me organizatën World Vision Albania.
Projekti ka mbështetur 360 fermerë të cilët janë trajnuar për rritjen e cilësisë dhe sasisë së produktit si dhe mundësisë për të patur kontrata shitje me Pikën e Grumbullimit (Food Hub). Ndërkohë që 1500 të rinj kanë marrë informacionin për riskun e përfshirjes në aktivitete të paligjshme apo të përdorimit të tregtimit të substancave narkotike.