Historia e Stelinës, vajza që do të bëjë ndryshimin për fëmijët dhe të rinjtë
“Një grup fëmijësh që ndryshon një ligj, i cili ndihmon secilin fëmijë në çdo cep të Republikës së Shqipërisë”- është një ndër shprehjen që të mbeten më shumë në mendje nga rrëfimi i Stelinës.
Sot 21-vjeçarja që studion për t’u bërë punonjëse sociale kur hedh shikimin pas, në fëmijërinë e saj me grupet e fëmijëve dhe të rinjve të World Vision Albania mbushet me emocione.
Ka zgjedhur profesionin e punonjëses sociale për të ndihmuar #fëmijët e brezave të rinj, që ata të kenë një jetë në plotësinë e tyre. Që ashtu si ajo vogëlushja plot ëndrra nga Balldreni i Lezhës, jeta e tyre të transformohet ditë pas dite.
Pjesë e një famije të madhe me 7 anëtarë Stelina, u bë pjesë e programit të Letërkëmbimit të World Vision Albania në vitin 2005 dhe më pas u angazhua dhe në grupet e fëmijeve.
“Mbaj mend grupin “Mbrojtja e Fëmijëve” i krijuar nga World Vision Lezhë. Për t’u bërë pjesë e tij duhej punë, angazhim, disiplinë, vullnet dhe dëshirë për të parë botën e fëmijëve në dy aspekte Aspekti i parë për ta parë botën e fëmijëve me ngjyra,me shpresë, lojëra dhe argëtim ashtu sikurse të gjithë fëmijët e shohin. E nga ana tjetër ishte pjesa më e vështirë e medaljes për mua si fëmijë. Ishte ta shihja botën e fëmijës me mangësitë që kishte, me të drejtat e mohuara dhe të paplotësuara. Të isha fëmijë veshur me “këpucët’ e fëmijëve që nuk dinin çfarë ishte fëmijëria. Të ishe pjesë e grupit nuk ishte vetëm të kishe dëshirën, por vullnetin për të bërë ndryshime, të kishe disiplinë dhe të ishe e qartë në mendime, si dhe të dije të luftoje për të drejtat që të takojnë jo vetëm ty, por dhe atyre që përfaqëson”– rrëfen Stelina sot, kur si 21 vjeçare shikon me qartë për ndikimin që aktivitetet me Grupin e Mbrojtjes së Fëmijëve kanë patur në karakterin e saj.
Mentaliteti patriakal dhe një komunitet ku të drejtat e fëmijëve ishin të përmbushura, ishin arsyet qe e shtynë Stelinën të angazhohet per të dhënë kontributin e saj.
“Mosarsimimi i fëmijëve dhe lënia pas dorë e edukimit të tyre, mentaliteti për martesat e hershme të vajzave, pra përpos jo-arsimimit ishte e pranishme dhe martesa e padëshiruar dhe e hershme, bullizmi që fëmijët vendas u bënin të ardhurve, një ndër gjërat që e kam kaluar vet në kurriz, më kanë bërë që të bëhem pjesë ë këtij grupi, për të kërkuar të drejtën që më takon mua dhe të gjithë bashkëmoshatarëve të mi në atë kohë dhe fëmijëve që kanë ardhur pas,”– shprehet Stelina.
Në kujtimet e saj ende sot janë të gjalla disa fitore të vogla.
“Mbaj mend që me grupin kemi arritur që të mbajmë në shkollë dhe të rikthejmë po aty ca nxënës. Dikujt sot mund të mos i duket një numër i lartë, por për ne ishte një hap i madh, një arritje e madhe për faktin se një apo dy qofshin kanë arritur të përfundojnë me sukses një cikël, që sot ndoshta u ka hyrë në punë për një kurs, universitet apo dhe mjafton për veten dhe dijet e tyre”- thotë Stelina.
Me kalimin e kohë Stelina rritej dhe e shikonte veten se ndryshonte duke gjetur forca të panjohura brenda vetes. Duke u bërë e vetëdijshme se dhe pse vetë fëmijë ata mund ndryshonin realitetin dhe të ndikonin jo vetëm në jetët e tyre, por dhe të mijëra fëmijëve në Shqipëri.
“Ndryshimet e para i pashë te vetja, unë tashmë isha një fëmijë më luftarak për atë që më takonte, por isha njëkohësisht më bashkëpunues dhe më tolerant. Ajo që më bën të ndjehem krenar është fakti që si grup kemi bërë punën tonë për ndryshimin e ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Ligji si çdo gjë tjetër kishte nevojë për përmirësime. Kemi punuar relativisht 5 vite për të arrirë një produkt të mirë dhe domethënës. Me takime, trajnime me shumë punë, me krijimtari dhe me këmbëngulje arritëm të shohim rezultate të kënaqshme. Ligji tashmë ishte ndryshuar, iniciativa jonë kishte mbërritur në parlament, shqyrtuar, miratuar dhe ndryshuar. Kjo nuk është pak… Një grup fëmijësh që ndryshon një ligj, që ndihmon secilin fëmijë, në çdo cep të Republikës së Shqipërisë”.
E ardhmja … pranë fëmijëve
Vitet e kaluar në Grupin e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe më pas në grupet Impact Club, shënuan jo vetëm fëmijërinë e vajzës nga Lezha, por dhe e drejtuan atë drejt të ardhmes, ndaj arsimit universitar dhe profesionit të ardhshëm.
“Ky grup më ka dhënë një shtysë më të madhe për të zgjedhur profesionin që dua të studioj dhe të punoj në një të ardhme të afërt. Kur punonim, mbanim mbledhje ose merrnim pjesë në aktivitete, kuptova se ajo që po bëja sot si anëtar i një grupi nesër do të ishte profesioni im. Dëshirat e mia kanë qenë gjithmonë gjithëpërfshirëse, dëshira këto që i kam dhe sot e me profesionin që po marr si punonjëse sociale shpresoj t’i realizoj”- na tregon ajo.
Miq të mirë përjetë
“E fundit, por jo më pak e rëndësishme është miqësia. Në shumë momente miqësia zë vendin e parë dhe kjo më është bërë e mundur nga Grupi. Kështu që nuk ka rëndësi nëse kam qenë pjesë e grupit si fëmijë apo anëtar, ato që kanë rëndësi janë vlerat dhe formimi që më ndihmuan të marr. Ishte një periudhë shumë nostalgjike për mua dhe unë ende vazhdoj të ndikoj në komunitetin tim për gjërat që kam mësuar, unë e mendoj vete një mikeshë të mirë të familjes së World Vision për të cilën jam shumë krenare.
Nëse dikur unë si fëmijë flisja me një fëmijë, sot unë e ndjej si detyrim që si profesioniste të ngre ngritur zërin”- përfundon Stelina.