‘Histori të pathëna 3’ – Çelet në Tiranë ekspozita e artit kundër trafikimit të qenieve njerëzore

TIRANË – Dhjetëra punime të artistëve shqiptarë u prezantuan sot në ekspozitën e hapur në kryeqytet në ambientet e Galerisë “Kalo”. Përmes konkursit “Histori të Pathëna 3” dhe fuqisë së artit si mjet komunikimi dhe angazhimi synohet të rritet ndërgjegjësimi dhe mendimi kritik mbi trafikimin e qenieve njerëzore. Të gjitha punimet dhe përshkrimet shoqëruese të vizatimeve bardh e zi dhe pikturave e vendosin theksin tek përpjekjet e përbashkëta për parandalimin e fenomenit dhe mbështetjen e viktimave.

Ekspozita finalizon konkursin kombëtar të pikturës dhe vizatimit bardh e zi “Histori të Pathëna 3”, organizuar nga World Vision Albania dhe UNICEF Albania, si pjesë e Programit të financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar: “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria“.

Kjo iniciativë ka si qëllim të kontribuojë në forcimin e dialogut pozitiv midis autoriteteve qeveritare, qytetarëve, donatorëve, partnerëve por edhe rrethit të artistëve të rinj, për të gjetur zgjidhje për trafikimin e qenieve njerëzore, si një problematikë shqetësuese në shoqëri.

Publiku do të ketë mundësi që për 3 ditë të vizitojë fizikisht 30 punimet më të mira, ndër 114 aplikime që janë dorëzuar. 3 prej tyre u vlerësuan fituese nga juria profesioniste e përbërë nga Anila Zajmi Katanolli, Albes Fusha dhe Alket Frashëri.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin të pranishëm përfaqësues të lartë nga institucionet shtetërore,  organizata ndërkombëtare, artistë të rinj, të mbijetuar të trafikimit, si dhe qytetarë të shumtë.

Rreth UNICEF

UNICEF punon në disa prej vendeve më të vështira në botë, për të mbërritur te fëmijët më të disavantazhuar. Ne punojmë në 190 vende dhe territore, për çdo fëmijë, kudo që ai ndodhet, që të ndërtojmë një botë më të mirë për të gjithë. Për më shumë informacion, ju lutemi të vizitoni: UNICEF Shqipëri

Rreth World Vision

World Vision është një organizatë humanitare dhe zhvillimore, që punon në më shumë se 90 vende anembanë globit, si në zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Nëpërmjet mbështetjes sonë, ne synojmë të sjellim ndihmë dhe shpresë për fëmijët, të rinjtë dhe komunitetet më në nevojë. Për të mësuar më shumë, ju lutemi vizitoni: https://worldvision.al/