Hera e parë e Domenikos në kamp veror

domeniko

Domeniko është 6-vjeç nga Korça dhe vuan nga Hidrocefalia…  Ai dëgjon, kupton, por nuk flet dot dhe ka vështirësi në të ecur dhe në të qëndruar për kohë të gjatë në këmbë.

Këtë verë për këtë të parë ai është bërë pjesë e një kampi veror në qytetin e tij.

Kampi veror “Miqësia” organizuar nga Bashkia e Korçës dhe mbështetur nga World Vision, ka funksionuar gjatë muajit Korrik dhe ka mirëpritur rreth 100 fëmijë, ku disa prej tyre kanë qenë me aftësi të kufizuara.

Për nënën e tij, Kristina, pjesëmarrja e tij në kamp është jo vetëm një mundësi shumë e mirë që Domeniko të qëndrojë dhe të shoqërohet me fëmijët e tjerë, por dhe një lehtësim që ai gjatë ditëve të kampit është asistuar nga mësuese të trajnuara dhe të dedikuara ndaj fëmiëjve.

“Sakrifica që bëjmë ne prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar është shumë e madhe, sepse mungon çdo gjë. Nuk ka një transport për këta fëmijë, unë si nënë jam e detyruar që ta çoj me autobus në kopësht dhe ta sjell me këmbë në shtëpi, sepse nuk gjej më autobus. Nuk ka një qendër ku këta fëmijë të rrinë të paktën një orë të mësojnë, të trajtohen, t’iu shërbehet për problemet specifike që ata kanë. Nuk ka kushte për fëmijë si Domenikoja ,që mezi mban ekuilibrin dhe që pas disa metrave ecje, bie…..mungon çdo gjë. Madje për shkak se as shkollat nuk kanë kushte, përsëri edhe këtë vit do e çoj në kopësht se në shkollë nuk ka kush të ma mbajë, të kujdeset se mos rrëzohet…”- rrëfen Kristina për vështirësitë me të cilat ajo, si prind i një fëmije me aftësi të kufizuara  përballet çdo ditë.

Domeniko dhe nëna e tij, Kristina në kampin veror “Miqësia”, në Korçë mbështetur nga World Vision

“Të paktën në këtë kamp veror ai kalon disa orë dhe kënaqet; unë e kuptoj që ai kënaqet sepse rri…Rri për një kohë të gjatë pa u mërzitur… Pa u ankuar, merret me lapsat, me puzzle, por mbi të gjitha rrethohet nga fëmijë të tjerë…Që në përditshmëri e kam shumë të vështirë ta shoqërizoj, sidomos në këtë periudhë që nuk ka dhe kopësht.”- thotë Kristina, nëna e tij.

Këtë vit rreth 3000 fëmijë nga shtresat me vulnerabël, por dhe me aftësi të kufizuara janë pjesë e kampeve verore që World Vision organizon në të Shqipërinë . Këto kampe janë për ta e vetmja mundësi argëtimi përgjatë stinës së verës. Prej 15 vitesh World Vision është angazhuar që në këto kampet të ofrohet jo vetëm argëtim, por edhe veprimtari kulturore dhe edukative duke marrë njohuri për të drejtat e tyre.