Qendra multifunksionale “Gonxhe Bojaxhi” vetëm pak ditë nga hapja është kthyer jo vetëm në një strehëz ku personat në vështirësi ekonomike mund të gjejnë mbështetje dhe një vakt të ngrohtë, por edhe një mundësi për zgjidhjen e problemeve të tyre sociale dhe shëndetësore. Dje ajo ka pritur dhjetra qytetarë me probleme me shikimin të cilët kanë zhvilluar vizita mjekësore dhe kanë përfituar syze falas. Kjo është bërë e mundur falë bashkëpunimit të Bashkisë Tiranë dhe Misionit Amerikan të Bamirësisë.