Zëri i të rinjve në media dhe verifikimi i lajmeve

Kamezzz

“Lajmet e rreme nuk janë asgjë më shumë se format  moderne të propagandës dhe mashtrimit. Në epokën e internetit të gjithë jemi të rrezikuar nga lajmet e pasakta, prandaj informacioni që marrim duhet të verifikohet,”- thotë Gersi nga Kamza.

18 të rinj me të cilët World Vision punon në zonën e Kamzës janë bërë pjesë e një trajnimi që i ndihmon ata për të qenë më të kujdesshëm në informacionet që lexojnë në mediat e ndryshme dhe që më pas mund t’i shpërndajnë edhe në profilet e tyre në rrjetet sociale.

Gazetarë të medias Citizens Channel i njohën të rinjtë me metodologjinë e verifikimit të fakteve, etikën në media dhe se si të jenë të kujdesshëm që të mos bien pre e dizinformimit. Ata u njohën me shembuj konkretë të disikriminimit, steriotipeve e paragjykimeve në media, dhe se si ti dallojnë ato kur lexojnë artikuj të ndryshëm.

Në epokën e internetit, me shtimin e mundësive për informim, shtohen edhe përmbajtjet e manipuluara dhe shpërndarja e lajmeve të rreme. Të rinjtë e grupeve IMPACT shprehen shqetësimin se shumë nga informacionet që lexojnë në internet, kryesisht përmes rrjeteve sociale, nuk janë të sakta.

“Trajnimet na kanë pajisur me aftësi dhe teknika për të dalluar faktet nga opinionet, lajmet cilësore nga lajmet propagandistike,”- thekson sërish Gersi.

Në total, 164 të rinj të grupeve IMPACT në Dibër, Shkodër, Kurbin, Kamëz, Durrës, Librazhd dhe Korçë prej 4 muajsh janë përfshirë në disa kurse dhe trajnime për edukimin dhe median, në kuadër të bashkëpunimit të World Vision me Irex Albania.

Qëllimi i projektit “Youth Reporting Albania Program” është t’i pajisë të rinjtë me njohuri për edukimin mediatik, verifikimin e fakteve dhe raportimin etik dhe multimedial.

Projekti i ndihmon të rinjtë, jo vetëm për t’u bërë konsumatorë kritik të lajmeve, por edhe kontribuues me shkrime në media dhe reagime në rrjetet e tyre sociale.

Pas trajnimeve, disa prej të rinjve do u krijohet hapësirë të shkruajnë artikuj bazuar mbi fakte për çështje që i shqetësojnë në komunitetet ku jetojnë, ndërsa do kenë mundësi edhe për realizimin e praktikave.