“Qëkur jam kthyer nga jashtë kam patur vetëm një mision: të kujdesem për veten që të mos mbetem i paralizuar si gjyshi im”, – këto janë fjalët e para që na tha Edmondi 36 vjeçari nga Maliqi i cili me besim dhe kurajo ka arritur t’ja dale mbanë që sot të lëvizë me paterica. Ai është martuar në moshë fare të re me Ornelën, gruan e tij, dhe sot ata gëzojnë 3 fëmijë. Për fatin e tij të keq familja e Edmondit vuan nga një sëmundje që prek kockat e cila është trashëguar deri në dy breza.
Për këtë arsye, Edmondi prej vitesh vuante problemet me këmbët e tij. Për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme pak vite më pare mjekët i sugjeruan të kryente një operacion urgjent pasi rrezikonte të mbetej i paralizuar për gjithë jetën, njësoj si gjyshi I tij. Një operacion i tillë nuk bëhej në Shqipëri. Ndaj, ai emigroi drejt Gjermanisë për të shpëtuar këmbët e tij.
Përpara se të emigronin në Gjermani, Edmondi me prindërit dhe familjen e vëllait që jetojnë afër kishin ngritur një biznes familjar, një pulari ku angazhoheshin të gjithë dhe me të ardhurat që fitonin mbanin familjen e madhe. Por të detyruar nga rrethanat Edmondi me familjen, dhe më vonë dhe prindërit e tij u larguan nga Shqipëria. Kështu ata emigruan drejt Gjermanisë ku kishin marrë informacion se mund të kryente operacionin e vështirë dhe se mund të kërkonin azil bashkë me familjen.
Me të mbërritur atje, ai iu nënshtruan edhe kërkesave për azil si dhe iu drejtua spitalit ku kreu operacionin për njërën këmbë, por depërtimi i tyre drejt Shqipërisë për shkak të refuzimit të kërkesës për azil e la misionin e tij përgjysëm. Ai operoi vetëm njërën këmbë dhe koha nuk i premtoi që të kryente edhe operacionin për këmbën tjetër.
Pasi u kthyen këtu asgjë nuk ishte më si më parë. Drita, mamaja e Edmondit tregon se me biznesin që kishin ngritur dikur ata mbanin të gjithë familjen madje nga të afërmit familja e tyre njihet për gjeste bujare bamirësie në komunitetin e tyre, pasi kishin ndihmuar disa familjeve në nevojë. Emigrimi drejt Gjermanisë iu kushtoi atyre punën këtu, dhe siç tregon Drita, ata sot kanë probleme të mëdha ekonomike dhe mezi sigurojnë të ardhura për t’u ushqyer.
“Ne i përkasim komunitetit egjiptian. Në komunitetin tonë ka shumë familje që kanë nevojë për ushqim, ndihmë ekonomike. Kur kishim pularinë dhe puna na ecte mire, ne kemi ndihmuar shumë familje në nevojë dhe nuk e dinim që sot do të ishim në këtë situatë, tani jemi ne që vuajmë për bukën e gojës”,- tregon Drita, nëna e Edmondit.
Pavarësisht kushteve të vështira të jetesës Edmondi dhe familja e tij nuk hoqi dorë nga kujdesi ndaj shëndetit të tij dhe filloi interesimet për të bërë të mundur operacionin në këmbën tjetër. E ëma Drita trokiti kudo në dyert e institucioneve derisa më në fund gjeti mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë e cila pagoi shpenzimet financiare për operacionin e Edmondit në Turqi.
Ai ka pak kohë që është kthyer, dhe falë ndërhyrjes sot ai mund të lëvizë me paterica. Për të kujdeset gruaja e tij, e ndërsa e ëma Drita kujdeset për fëmijët e tij teksa nuk harron të shprehë mirënjohje për ndihmën e ofruar.
“Sot kemi probleme ekonomike por falë Zotit Edmondi është më mirë nga këmbët. Ai lëviz kudo me paterica dhe shpresojmë që sëmundja nuk do të avancojë në të ardhmën pasi mjekët na kanë dhënë siguri. Falëminderit juve që na u gjendet pranë në këto ditë të vështira për ne,- thotë Drita, mamaja e Edmondit.
Familja e Edmondit është pjesë e projektit RE-IN-VEST si një nga familjet e riktheyra nga jashtë vitet e fundit të cilët po përballen me probleme të mëdha ekonomike. Falë ndihmës sonë u bë e mundur heqja e “apellasit” që e ndalonte atë të udhëtonte jashtë Shqipërisë për 3 vite. Ndërsa zyra e Ëorld Vision Albania në Korçë mori përsipër shpenzimet e biletës vajtje- ardhje pasi fëmijët e tij prej vitesh janë pjesë e programit të sponsorshipit.
Duke parë situatën e vështirë në të cilën ata jetojnë sot, familja e Edmondit është mbështetur nga projekti RE-IN-VEST me paketa ushqimore dhe higjienike, si dhe së fundmi i është ofruar ndihmë me paketa shendëtësore për fëmijët e tij.
Djali i tij i vogël vuan nga azma ndaj projekti e ka ndihmuar me një aparat të posaçëm për lehtësimin e frymëmarrjes, ndërsa pjestarë të tjerë të familjes janë ndihmaur me ilaçe që kanë nevojë.
Mbështetje për familjen e tij dhe shumë familje të tjera do të vijojë në 12 bashki të vendit ku shtrihet projekti RE-IN-VEST.