Bota është gjithnjë në lëvizje, ndryshim dhe kërkim për përsosje të vazhdueshme. Teknologjia është një ndër mjetet që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së njerëzimit duke lehtësuar jetën e përditshme tonën. Shfrytëzues të teknologjisë bëhen shpesh edhe fëmijët, të cilët e përdorin për mënyra të ndryshme. Si burim të gjërë informacioni, mjet argëtues në të cilin mund të kalosh kohën e lirë etj. Pa harruar së përmenduri se teknologjia, e sidomos për fëmijët është mjaft e rrezikshme, duke sjellë në vëmendje se ata mund të bien pre e informacioneve jo të sakta e të sigurta, pamjeve jo të përshtatshme për moshën e tyre apo profileve fallso të rrjeteve sociale.
Kjo e fundit vlen për t’u përmendur, pasi shumica e fëmijëve nën moshën e duhur kanë profile në rrjete të ndryshme sociale, si “Snapchat”, “Instagram”, “Facebook” ose “ Twitter”, gjë që çon në ekspozimin e padëshiruar të fotove apo të videove të tyre në duart e personave me qëllime dashakeqëse, të njohur ndryshe si “ hacker-a”.
Sot, dua të tregoj historinë e një vajze 15-vjeçare me inicialet J. H në shkollën time. Ajo ishte një vajzë e shkathët, e zgjuar dhe e sjellshme me të gjithë. Plot gjallëri ngado që shkonte; ajo ishte një tip shumë social dhe e shoqërueshme. Ajo kishte një profil publik në “Instagram”, ku fotot e saj mund të shiheshin nga kushdo që kishte një profil të tillë. Fotot e saj u morën dhe u keqpërdorën nga disa nxënës më të rritur të shkollës. Imazhi i saj u përdor në krijimin e një videoje tallëse dhe ofenduese. J.H ndihej shumë keq për këtë që ndodhi duke mbajtur për sipër ndjenjën e fajit dhe të turpit. Ajo shpesh herë tallej dhe bullohej nga nxënësit e tjerë për imazhet e përpunuara në atë video. Prindërit e saj erdhën në shkollë të shqetësuar dhe biseduan me drejtuesit e shkollës, duke bërë të mundur gjetjen e fëmijëve të cilët kishin krijuar këtë video dhe më në fund fshirjen e saj. Pas disa kohësh, kjo histori ishte harruar pothuajse nga të gjithë nxënësit e shkollës, megjithëse vajza në fjalë ende e vuan keqpërdorimin e imazhit të saj.
Në një nga bisedat e fundit tonat, ajo tregonte se tashmë kishte mbyllur të gjitha rrjetet sociale për të shmangur sërish një histori të tillë. Duke marrë shkas nga kjo histori që unë tregova apo nga shumë të tjera që kanë ndodhur, është mirë që fëmijët të jenë më të kujdesshëm në përdorimin e teknologjisë, kryesisht duke shmangur përdorimin e rrjeteve sociale. Përdorimi i teknologjisë sjell shumë fryte produktive, por paralelisht sjell edhe një sërë rreziqesh, ku fëmijët janë “preja” më e zakonshme e më ulët e njerëzve të papërgjegjshëm.
Shumë nga argumentet e mësipërme dëshmojnë se e ardhmja i takon teknologjisë, pa harruar kurresesi se të tashmes po i lëmë në dorë jetën tonë; duke jetuar një jetë virtuale me mure të mbyllura ndaj “botës së vërtetë e të gjelbër”. Nuk na mbetet gjë, veç të ndjekim ritmin e ndryshimit, por të jemi mirënjohës e të kujdesshëm ndaj themeleve reale të njerëzimit.
#ItTakesAWorld