“Braktisa shkollën për të ushqyer familjen”

GettyImages_145659716

L. ishte vetëm 13 vjeç kur u detyrua të braktiste shkollën si pasojë e varfërisë në familjen e saj. Vogëlushja jeton në një nga fshatrat e Shkodrës së bashku me nënën dhe me motrën e saj, pasi babai i ka braktisur prej shumë vitesh dhe jeton në emigracion.

Më e vogla e familjes nisi të punonte në një rrobaqepësi të zonës për të siguruar të ardhura për t’u ushqyer, pasi nëna është e moshuar dhe  motra ka probleme të vazhdueshme shëndetësore.

“Zgjohesha në orën e 05:00 të mëngjesit dhe nisesha për në punë ku punoja deri në 16:00 të pasdites, në një ambient të vështirë. Veç lodhjesh fizike, ndihesha shumë keq ku shikoja që të gjithë bashkëmoshatarët e mi frekuentonin shkollë”- pranon ajo.

“Përveç faktit se ndihesha e lodhur gjatë gjithë kohës, më mungonte se tepërmi koha e kaluar me shokët dhe shoqet. Më mungonte ajo pjesë që më bënte të lumtur”- rrëfen L.

Sot në Shqipëri 29.4% e fëmijëve punojnë për të siguruar të ardhura në familje (sipas raportit të Child Well-Being 2016-2018 nga World Vision). Atyre u mohehen të drejta themelore për shkollim dhe edukim dhe duke i “vjedhur” fëmijërinë.

Largimi i L. nga shkolla ishte një problem që shqetësoi jo vetëm shokët e klasës, por edhe mësuesen. Fëmijët pjesë e Grupi të Mbrojtjes së Fëmijëve nga World Vision në shkollën e saj dhe mësuesja kujdestare e adresuan rastin në drejtorinë e shkollës, duke kërkuar që 13-vjeçarja të kthehej në shkollë dhe që familja e saj të ndihmohej. 

“Ndihem në faj që vajza nuk shkon në shkollë dhe punon për shkak të varfërisë, por ndihem e paaftë të ndryshoj situatën”- ishin fjalët e nënës së saj të përlotur në takimin me shokët e klasës, drejtorit të shkollës dhe pjestarë nga ekipi i World Vision.

Për të përmirësuar situatën ekonomike familja u mbështet për 4 muaj me paketa ushqimore, ndërsa motrës së L. iu mundësua punësimi në një furrë buke në një biznes të zonës. 

Këmbëngulja e bashkëmoshatarëve, por dhe e mësuesve dhe e shkollës dha rezultatin e pritur, L. u rikthye në shkollë. Sot ajo vijon klasën e nëntë dhe është pjesë e Grupit të Mbrojtjes së Fëmijëve duke marrë pjesë në aktivitet ndërgjegjësuese për fëmijë të tjerë. 

Endrra e saj më e madhe është të vijojë gjimnazin dhe më pas shkollën e lartë.