Zemra e nënës punon vetëm për të mirën e fëmijëve të saj. Një ditë nga shërbimi lëvizës i Kia Green Light Project

Në zemër të një fshati të largët, në peizazhet e thyera të Librazhdit, jeton Gurija me 3 djemtë e saj, Alfredin, Luisin dhe Landin. Ndërsa ngjitemi rrugës së fshatit Librazhd Katund, ndalemi përpara portës së kësaj familjeje, ku me të dëgjuar zhurmën e makinës shfaqen nxitimthi tre adoleshentët, të cilët presin me padurim shërbimin e logopedisë.

Vetem ju mund te vini deri ketu, rruga është e shkatërruar dhe njerëz nuk ka më përreth, kanë ikur,”- thotë Gurija.

Çdo ditë, 47-vjeçarja kujdeset e vetmë për tre djemtë e saj. Bashkëshorti dhe djali i saj i madh Enisi, prej vitesh kanë zgjedhur të provojnë rrugët e emigracionit, si e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura për familjen. Për shkak të largësisë me qytetin dhe rrugës së amortizuar, fshati është thuajse i izoluar, ndërsa familja mbahet kryesisht përmes punës në bujqësi dhe blegtori.

“Mes këtij realiteti të vështirë, World Vision Albania ka qenë gjithmonë një mbështetje dhe dritë shprese për ne. Shërbimi i logopedisë ka qenë jetëndryshues për fëmijët,” – thotë ajo, me një buzëqeshje që i lexohet lehtë në fytyrë.

Në saj të projektit “Kia Green Light Project”, nëna dhe tre djemtë vizitohen një here në javë nga “mysafirja” e tyre speciale, Eda. Logopedistja e World Vision Albania, ofron shërbimet e terapisë së të folurit për tre djemtë.

Në fillim të mbështetjes me terapi, djemtë nuk kanë qenë bashkëpunues. Nuk përqëndroheshin dot, nuk njihnin shkronjat, nuk arrinin të kopjonin një paragraf dhe gjithashtu nuk arrinin të formonin një fjalë duke bashkuar shkonjat në mënyrë të pavarur. Falë mbështetjes me terapi logopedike në familje, djemtë kanë progres të dukshem ku sot ata janë shumë bashkëpunues, marrin dhe zbatojnë komandat nga terapistja, janë më social, kanë kontakt të vazhdueshëm me sy gjatë terapisë. Tashmë kanë një fjalor më të pasur, ku arrijnë të nisin një bisedë duke qenë të përqëndruar,”- na tregon Eda, logopedistja e tyre.

Dy binjakët kanë qenë gjithashtu përfitues të projektit “Tungjatjeta…Jetë”, të dizenjuar dhe zbatuar nga World Vision Albania, ndërsa tashmë marrin shërbim të specializuar një herë në javë nga ekipi lëvizës i Kia Green Light Project.

Alfredi këtë vit përfundon klasën e nëntë. Dëshira ime është që edhe binjaket ta përfundojnë shkollën. Djemtë nuk janë më të ndrojtur, ata diskutojnë dhe kuptojnë çdo gjë. Është një ndryshum i madh. Dikur i shihja të tre dhe nuk flisnin. I madhi rrinte në qoshe dhe nuk reagonte fare, ndërsa binjakët flisnin ndonjë fjalë. Kur i futa në shkollë aty kuptova që djemtë kanë vështirësi pasi mësuesit më thanë që djemtë nuk flasin si shokët,”- rrëfen nëna e djemve.

Çdo shenjë përmirësimi nga ana e djemve është një fitore. Dhe nënë Gurija i gëzohet fitoreve të vogla dhe jetëndryshuese të djemve të saj.

Dua që të jenë të pavarur në jetë. Kjo është ëndrra ime. Zemra e nënës punon vetëm për të mirën e fëmijëve të saj”, – rrëfen nën zë nënë Gurija, e cila nuk dorëzohet përballë vështirësive.

Terapia është një ndër momentet më të bukura për 3 vëllezërit. Pas përfundimit të seancës, ata na percjellin deri tek makina, të cilën e ndjekin derisa u zhduket nga sytë, në pritje të vizitës së radhës.

Aktualisht, 30 fëmijë dhe adoleshentë, të moshës 4-16 vjeç, marrin shërbime të integruara në fizioterapi, logopedi dhe terapi zhvillimi. “Kia Green Light Project” financohet nga Kia me mbështetjen e World Vision Korea, dhe zbatohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd.