Vera është një kohë pushimi dhe argëtimi, por për të rinjtë e grupeve IMPACT të World Vision Albania nuk mungojnë aktivitetet që synojnë të adresojnë problematikat që i shqetësojnë në komunitetet ku jetojnë dhe të sjellin ndryshime pozitive.
Kjo fundjavë bëri bashkë 50 të rinj nga grupet Impact të Tiranës dhe Kamzës, në një sërë aktivitetesh ku patën mundësi të mësojnë, bashkëbisedojnë dhe propozojnë ide inovatore për adresimin e çështjeve që i shqetësojnë në komunitet.
Përgjatë #Bootcamp-it dyditor, të rinjtë e World Vision Albania kanë rritur aftësitë e tyre për tema të ndryshme si të menduarit kritik, bashkëpunimi në grup dhe kreativiteti.
Gjithashtu ata kanë hartuar programin për aktivitetet verore që do të organizojnë në javët në vijim për fëmijët në komunitetet ku ata jetojnë.
“Nga këto aktivitete do të përfitojnë 250 fëmijë të grupmoshës 12-16 vjeç që janë pjesë e komuniteteve ku World Vision Albania punon. Ne do të vazhdojmë që të luajmë rolin tonë si agjentë ndryshimi,” – thotë Limani, një nga të rinjtë e angazhuar prej disa vitesh në nisma të tilla, përmes përfshirjes me grupet IMPACT.
World Vision Albania punon në mënyrë aktive me 1128 të rinj nga e gjithë Shqipëria, përmes modelit IMPACT. Gjatë vitit të kaluar, të organizuar në 65 grupe, të rinjtë tanë kanë ndërmarrë 10 nisma komunitare përmes të cilave kanë arritur 13 666 fëmijë dhe të rinj.
Modeli IMPACT i nxit të rinjtë të jenë aktivë në jetën sociale dhe ekomike të komuniteteve, duke i fuqizuar ata me kompetenca, vlera pozitive, dhe besim tek vetja dhe komuniteti.