Nisma frymëzuese: Si të rinjtë ndihmuan në transformimin e Liqenit të Paskuqanit

Vetëm pak vite më parë, në vitin 2018, Liqeni i Paskuqanit ishte një hapësirë thuajse e pajetë dhe pak e aksesueshme. Edhe pse shtrihej në 84 hektarë, zona përreth liqenit ishte e pashfrytëzuar, me pak hapësira ku fëmijët të mund të luanin dhe familjet të kalonin kohë cilësore së bashku.

Për shumëkënd, ishte thjesht një hapësirë që vështirë se mund të transformohej. Por të rinjtë e zonës panë diçka tjetër, një mundësi për ta kthyer atë në një park të gjelbër, të gjallë dhe të dobishëm për të gjithë komunitetin.

Dhe gjithçka nisi me një ide të hedhur gjatë takimeve të grupeve rinore IMPACT, të mbështetura nga World Vision Albania. Një ide që u përputh me vizionin e Bashkisë Kamëz për transformimin e kësaj hapësire dhe që u diskutua më tej me kryetarin e bashkisë.

Ata nisën të imagjinonin dhe planifikonin një të ardhme ndryshe për parkun, si një vend ku fëmijët mund të luanin, familjet të kalonin kohë së bashku dhe komuniteti të lidhej më shumë me natyrën.

“Kur e pamë për herë të parë këtë hapësirë, nuk pamë atë që mungonte, pamë atë që mund të bëhej,” kujton Iza, 17 vjeçe, anëtare e grupeve rinore IMPACT. “Gjatë diskutimeve tona, imagjinonim një vend plot me pemë, kënde lojërash dhe jetë. Bashkë me World Vision Albania dhe me mbështetjen e Bashkisë Kamëz, vendosëm të vepronim.”

Të rinjtë “mbollën farat” e para të ndryshimit

Në vitin 2019, vizioni i të rinjve nisi të merrte formë. Me mbështetjen e World Vision Albania dhe të Bashkisë Kamëz, të rinjtë e grupeve IMPACT u bënë pjesë aktive e transformimit të zonës. Ata mbollën pemët e para, krijuan murale komunitare përgjatë mureve të digës dhe shëtitores pranë liqenit dhe ndërmorën iniciativa që nxitën kujdesin më të madh për mjedisin.

Këto hapa të parë, edhe pse të pamjaftueshëm për të transformuar rrënjësisht gjithë zonën, treguan fuqinë e angazhimit të të rinjve. Ajo që nisi si një nismë e vogël krijoi një ndjenjë përkatësie dhe përgjegjësie, si dhe frymëzoi të tjerë anëtarë të komuniteti që të besonin se kjo hapësirë mund të shndërrohej në diçka krejt tjetër.

Përmes ndërhyrjeve të mbështetura nga World Vision, iniciativa e të rinjve u zgjerua.Më shumë se 2,000 pemë u mbollën, dhjetëra kosha mbeturinash u vendosën dhe u krijuan tre kënde lojërash për fëmijët dhe hapësira çlodhëse për familjet, përfshirë zona me tavolina dhe vende për t’u ulur e për të kaluar kohë së bashku.

“Çdo hap i vogël dukej si një ndryshim i madh,” kujton Ermali, një tjetër anëtar i IMPACT. “Ishte e mrekullueshme të shihje pemët e para duke u rritur, muralet duke marrë jetë dhe këndet e lojërave duke u mbushur plot me fëmijë dhe familje të zonës. Po shihnim ndryshimin me sytë tanë.”

Transformimi i madh

Ajo që nisi me një grup të rinjsh dhe një ide për komunitetin e tyre nuk mbeti vetëm një nismë e vogël. Ndërsa ndryshimet e para bëheshin të dukshme, vizioni për një hapësirë më të gjelbër, më të bukur dhe më të dobishme për komunitetin mori mbështetje gjithnjë e më të gjerë.

Bashkia Kamëz, në përputhje me planet e saj për transformimin e kësaj hapësire, dhe qeveria më pas e zgjeruan këtë përpjekje përmes investimeve të mëdha publike, duke nisur një proces që do ta transformonte tërësisht Parkun e Liqenit të Paskuqanit.

Në vitet që pasuan, investimet publike u zgjeruan. Zona u pajis me hapësira të gjelbra, pedonale, ndriçim, korsi biçikletash, ambiente sportive dhe rekreative. Mbi 10,000 pemë u mbollën në kuadër të transformimit të parkut dhe u krijuan hapësira të reja për sport, argëtim dhe ndërveprim komunitar.

Edhe bizneset lokale dhe familjet u bënë pjesë e këtij procesi, duke kontribuar në një transformim që tashmë kishte marrë përmasa shumë më të mëdha se nisma fillestare e të rinjve.

Sot, në vitin 2026, Parku i Liqenit të Paskuqanit është një hapësirë e rëndësishme publike dhe rekreative për Kamzën dhe zonën përreth. Me një pedonale rrethore prej 5.2 kilometrash, korsi biçikletash, fusha sportive, kënde lojërash, hapësira rekreative, një amfiteatër dhe një mol mbi liqen, ajo që dikur ishte një hapësirë e harruar ka marrë një tjetër jetë.

“Të shohësh parkun plot me familje dhe fëmijë çdo mbrëmje është e jashtëzakonshme,” thotë Elena, anëtare e IMPACT. “Idetë tona u dëgjuan dhe sot kjo hapësirë ka marrë jetë. Ne mbollëm farat e para dhe komuniteti i ndihmoi ato të rriteshin,” – shton ajo.

Një transformim që shkon përtej mjedisit

Transformimi i Liqenit të Paskuqanit ka sjellë përfitime që shkojnë shumë përtej rikthimit në jetë të një hapësire publike. Përmirësimi i mjedisit ka ndihmuar në rikthimin e biodiversitetit, me zogj dhe gjallesa të tjera që janë rikthyer në zonë. Në të njëjtën kohë, parku ka forcuar krenarinë e komunitetit dhe ka krijuar mundësi të reja ekonomike për banorët përreth, ndoshta duke ngritur një sfidë të re në horizont, ruajtjen e tij të paprekur.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Aaron Tanner, Këshilltar për Kujdesin ndaj Mjedisit dhe Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike, e vlerësoi këtë transformim si një shembull të mënyrës se si angazhimi i komunitetit dhe restaurimi i mjedisit mund të krijojnë një ndikim afatgjatë.

“Ajo që nisi me hapat e parë të të rinjve u shndërrua në një lëvizje më të gjerë, ku u përfshinë komuniteti, institucionet, bizneset dhe drejtuesit vendorë,” shpjegon ai. “Kjo tregon se si fuqizimi i qytetarëve për t’u kujdesur për mjedisin e tyre mund të sjellë ndryshim që i sjell dobi të gjithëve,” – shprehet Tanner.

Fuqia e të rinjve kur u jepet mundësia të veprojnë

Transformimi i Liqenit të Paskuqanit është sot një shembull i fuqisë së angazhimit të të rinjve dhe veprimit kolektiv. Ata nuk mund ta transformonin të vetëm. Por ndryshimi nisi me një ide të të rinjve dhe me mbështetjen për ta kthyer atë ide në veprim. Më pas, institucionet, komuniteti dhe bizneset e përqafuan atë vizion dhe e çuan shumë më tej.

Kjo është ajo që mund të ndodhë kur investojmë te të rinjtë: një ide mund të bëhet një nismë; një nismë mund të frymëzojë një komunitet; dhe një komunitet i mobilizuar mund të nxisë investime që sjellin ndryshim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Sot, fëmijët luajnë, buzëqeshin e gëzojnë, familjet kalojnë kohë së bashku dhe komuniteti shijon një hapësirë që dikur dukej e harruar.

Nga balta dhe barërat e këqija te një hapësirë që sjell jetë, të qeshura, gjelbërim dhe lidhje mes njerëzve të komunitetit tonë – ky projekt tregon se çfarë mund të arrijnë të rinjtë kur fuqizohen,” thotë Iza.

Kjo ndërhyrje frymëzuese, ky mobilizim transformues, dhe kjo dashuri e jashtëzakoshme për komunitetin, na kujton se investimi te të rinjtë nuk është vetëm investim në potencialin e tyre. Është investim në aftësinë e tyre për të nisur ndryshimin për të cilin vendi ynë ka nevojë.

Nga Alfons Çupaj
PR and Communications, World Vision Albania