World Vision vazhdon të mbështesë familjet e prekura nga përmbytjet

1_111

Ramazani, është 21 vjeç. Ai është shtylla e familjes, ndonëse fare i ri. Jeton me gjyshen, hallën dhe 2 fëmijët e saj, në një shtëpi buzë lumit të Tiranës. Në shtëpinë me 2 dhoma, ata kanë vetëm njërën. Në tjetrën jeton daja me nusen dhe 2 fëmijët. Për të siguruar jetesën, ai punon çdo natë në mirëmbajten e qytetit. Por, këto të ardhura nuk mjaftojnë për të ushqyer familjen.  Kur nuk është në punë, ai mundohet të fitojë disa para më shumë, në gëzimet e miqve, ndaj punon si DJ. Kishte kursyer disa para dhe kishte blerë mjetet që i duheshin, por tani edhe ato i mori lumi me gjithçka kishte shtëpia e tij.

“Ishte ora 9 e mëngjesit, kur lumi vërshoi, dhe u fut në shtëpi. Për disa minuta, këtu u bë si det. Divanet, soba, lavatriçet, enët, batanijet, pra të gjitha, dukej sikur notonin”, – thotë Ramazani. Ai largoi nga shtëpia, familjarët e tjerë dhe vetë ndenji aty, me shpresën se mos shpëtonte diçka. Nxorri fëmijët e hallës në rrugë, larg tërbimit të lumit, dhe u kthye. “Sa kisha marrë rrogën, vetëm 2 thasë miell kisha blerë dhe një thes patate. As lekët nuk i mora dot nga xhupi”, – thotë ai.

Shtëpia e tyre është e pabanueshme prej baltës së madhe. Ata po jetojnë tek të afërmit. Skuadra e World Vision i vizitoi sot, dhe u dha shtretër, batanije, jorganë, jastëkë dhe veshje.

Përaprimi, 6 vjeçar, më i vogli i shtëpisë na falenderoi pa masë. Jorgani dhe batanija i pëlyen shumë. “Nuk kam pasur ndonjëherë jorgan dhe jastëk të ri unë”, – tha ai.

Situata e përgjithshme

Vetëm në Tiranë, 520 familje kanë dëmtime në shtëpitë e tyre nga përmytjet. Për më shumë se 100 prej tyre, World Vision ka siguruar shtretër, batanije, veshje dhe ushqime. Në Kurbin, 18 familje janë evakuar dhe mbështetur. Në Dibër 3 dhe në Lezhë 2. Organizata, po bashkëpunon ngushtë me strukturat lokale dhe organizata të tjera, që të gjitha familjet e prekura të asistohen dhe të gjenden zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme.