World Vision u jep grante 10 të rinjve për të vënë në jetë idetë e tyre

Deklaratë për shtyp

 Tiranë, 27 korrik 2016– Dhjetë të rinj nga e gjithë Shqipëria, më së shumti banorë të fshatrave dhe periferive të qyteteteve, u shpallën sot fitues të 10 granteve te vogla për projekte zhvillimi në zonat e tyre. Në një ceremoni miqësore, në Tiranë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, drejtori kombëtar i World Vision, z. Toni Gogu dhe drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Rinisë, znj.Ina Avllaj, shpallën sot fituesit dhe nxitën të rinjtë në Shqipëri që të kërkonin më shumë nga vetja dhe të përfshiheshin në nisma shoqërore.

Idetë fituese nisin nga rregullime qendrash ditore ku të moshuarit apo të rinjtë e fshatrave dhe qyteteve të vogla të kalojnë kohën në mënyrë argëtuese (Dibër, Librazhd), shkolla verore për fëmijët romë, kampe verore falas për fëmijë në nevojë në fshatra, promovimi i kulturës përmes mbrëmjeve poetike nëpër fshatra të njohur për kulturën e tyre (Korçë) etj. “Ideja ime është që t’u krijoj kushte të paktën 80 të moshuarve në qytetin tim, Peshkopi, për të kaluar ditën në mënyrë interesante. Qendra ditore për kujdesin e tyre është në gjendje shumë të keqe. Me mbështetjen e këtij granti të World Vision ne do të lyejmë mure, do të rregullojmë dritaret, do të blejmë shtypin e përditshëm si dhe disa mjete të tjera të domosdoshme”, – shpjegoi idenë e saj njëra nga fitueset, 16-vjeçarja Suela Mazari.

“Idetë tuaja janë shumë të pastra sepse vijnë pikërisht nga zonat ku ju jetoni. Kemi nevojë për këto ide që të mund të ngremë rrjete të mirëfillta, bashkë me donatorë dhe partnerë të tjerë. Në këtë mënyrë, të gjithë së bashku mund ta bëjmë më të mirë jetën e të rinjve në Shqipëri”, – tha në takim ministri Klosi, duke i informuar që ministria po përgatit një skemë të financimit të ndërmarrjeve sociale nga të rinjtë.  

“Falë fuqisë së ideve tuaja, e pamë Shqipërinë ndryshe, më të bukur. Ju jeni nga ata të rinj që punojnë çdo ditë që gjërat të përmirësohen. E dimë që pas secilit prej jush, qendron një komunitet i tërë pasi punojmë çdo ditë me ta dhe me ju. Jemi shumë krenarë për gjtihë këtë fuqi pozitive që shohim përditë”, -tha Toni Gogu, drejtori kombëtar i World Vision. Organizata e njohur për çështjet e fëmijëve, punon njëkohësisht drejtpërdrejt edhe me qindra rinj nga fshatra dhe periferi të qyteteve, qe prej vitit 2008.  

Kjo është një nga arsyet pse World Vision bashkëpunoi me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kur kjo e fundit nisi fushatën “6 objektiva rinore në 6 muaj”. Rreth dy javë më parë, World Vision publikoi në rrjete sociale thirrjen për ide nga të rinjtë. 55 të rinj aplikuan me ide nga më të ndryshme, nga gjithë Shqipëria.

Dhjetë idetë fituese do të realizohen nga të rinjtë brenda javëve të para të shtatorit. Për të ndjekur në terren ardhjen e tyre në jetë si dhe historinë vetjake të të rinjve që do të punojnë për to, ju lutem kontaktoni:

Elda Spaho Bleta

Senior Communications Advocacy Officer

World Vision in Albania & Kosovo

Office Phone: +355 4 22 58 333/4| Mobile: + 355 68 5015224| Email:elda_spaho@wvi.org |
| Main office address: : World Vision, “Asim Vokshi” Street, USLUGA
Complex, Tirana, Albania|
| Mailing address: P.O.Box 1725 Tirana, Albania|
  meero.worldvision.org