World Vision Albania mbështet për të tretin vit radhazi Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe

Përmbyllet me sukses edicioni i tretë i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, ku rreth 11 mijë fëmijë treguan njohuritë, kreativitetin dhe dashurinë për gjuhën shqipe në një garë të mbushur me sfida dhe emocione.

Tema e këtij viti, “Gjuha Shqipe dhe Komunikimi Qytetar në Epokën Digjitale”, reflektoi sfidat e reja që komunikimi digjital sjell për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës sonë kombëtare.

Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe u organizua mes 700 shkollave të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, duke angazhuar mbi 11 mijë nxënës të klasave të nënta, ndërsa në aktivitetin final ishte e pranishme edhe Drejtori Ekzekutiv i World Vision Albania, Eljona Elmazi.

World Vision Albania së bashku me partnerë të tjerë mbështeti për të tretin vit radhazi Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pasi konkursi ka rëndësi të jashtëzakonshme për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve, ndërsa synon të nxisë ndjenjën e krenarisë dhe përkatësisë tek fëmijët që në moshë të vogël, duke i motivuar të zbulojnë thellësitë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.