Ndryshimi i qëndrueshëm në jetën e fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve, veçanërisht atyre më në nevojë, ndërtohet përmes partneriteteve që ndajnë të njëjtin vizion dhe investojnë në mundësi që zgjasin në kohë.
Prej një dekade, World Vision Albania dhe BALFIN Group kanë ndërtuar një partneritet të tillë, duke punuar së bashku për të mbështetur fëmijët dhe familjet në nevojë në Shqipëri.
Bashkëpunimi nisi në vitin 2017 me mbështetjen e programit “Tungjatjeta… Jetë” të World Vision Albania, i cili ofronte shërbime të specializuara në shtëpi për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Që nga ajo kohë, partneriteti është zgjeruar përmes iniciativave të ndryshme, me BALFIN Group dhe bizneset e tij që kanë kontribuar në forma të ndryshme për të sjellë ndryshim në jetën e qindra fëmijëve dhe familjeve në të gjithë vendin.
Një dekadë ndryshimi
Sot, ky bashkëpunim vazhdon me angazhimin e BALFIN Group, ndërsa që prej vitit 2023 mbështetja e tij për këtë partneritet realizohet përmes MANE Foundation.
Me një investim prej rreth 200,000 USD, deri tani është bërë e mundur mbështetja e 732 fëmijëve në 21 bashki të Shqipërisë. Mes tyre, 246 fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar terapi dhe shërbime të specializuara, disa prej tyre edhe në zonat rurale më të thella të vendit.
Mbështetja ka shkuar edhe për nevoja të tjera konkrete të fëmijëve, nga kujdesi dentar dhe pjesëmarrja në kampe verore, tek investimet e përbashkëta në hapësirat zhvillimore në shkolla.
Në të njëjtën kohë, 724 familje kanë përfituar pako ushqimore, ndërsa më shumë se 3,100 të rritur kanë marrë pjesë në aktivitete ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës dhe krijimin e mjediseve më të sigurta për fëmijët.
Këto nuk janë thjesht shifra. Pas tyre janë histori konkrete: fëmijë që kanë fituar aftësi të reja dhe më shumë besim në vetvete, prindër që kanë marrë ndihmën e nevojshme për të përballuar sfidat e përditshme dhe familje që janë ndier më pak të vetmuara përballë vështirësive.

Një angazhim që shkon përtej financimit
Ajo që e ka karakterizuar këtë marrëdhënie ndër vite nuk ka qenë vetëm kontributi financiar. Përgjegjësia sociale merr kuptim të vërtetë kur biznesi zgjedh të investojë jo vetëm në ekonomi, por edhe te njerëzit dhe në komunitetet ku vepron.
Përveç mbështetjes financiare, ky bashkëpunim është shoqëruar me ekspertizë, vullnetarizëm dhe iniciativa në komunitet, duke krijuar forma të ndryshme mbështetjeje përtej financimit të drejtpërdrejtë të programeve.
Kjo qasje ka ndihmuar që mbështetja të mos kufizohet vetëm te një nevojë e momentit, por të krijojë mundësi për zhvillim dhe mirëqenie më të qëndrueshme për fëmijët, familjet dhe komunitetet.
Një partneritet që vazhdon të rritet
Në korrik 2026, Samir Mane, President dhe themelues i BALFIN Group dhe MANE Foundation, vizitoi zyrat e World Vision Albania, ku u takua me drejtues të organizatës, të Bordit, si dhe me të rinj vullnetarë të programeve tona.
Gjatë takimit, ai shprehu vullnetin për ta thelluar më tej bashkëpunimin me World Vision Albania dhe për të rritur angazhimin në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve në nevojë.
“Duam një bashkëpunim më të thellë në të ardhmen dhe duam ta rrisim mbështetjen ndaj njerëzve në nevojë. Ka ardhur koha ta rrisim këtë bashkëpunim edhe për shumë vite të tjera”, theksoi ai.
Të pranishmit ndoqën edhe një video frymëzuese që tregon historinë jetëndryshuese të Artës dhe rrugëtimin e saj me World Vision Albania. Kur mori mbështetje për herë të parë në vitin 2017, Arta nuk mund të ecte në mënyrë të pavarur. Sot, pas vitesh fizioterapie dhe mbështetjeje të vazhdueshme, ajo lëviz e lirë dhe po zbulon talentet dhe mundësitë e reja që ka përpara. Historia e saj është një shembull i fuqishëm se si mbështetja afatgjatë mund t’i ndihmojë fëmijët me aftësi të kufizuara të zhvillojnë potencialin e tyre, të fitojnë vetëbesim dhe të përfshihen më plotësisht në jetën e përditshme.
Për World Vision Albania, ky bashkëpunim tregon se çfarë mund të arrihet kur sektori privat dhe organizatat e zhvillimit bashkojnë përvojën dhe burimet e tyre për një qëllim të përbashkët: krijimin e mundësive më të mira për fëmijët dhe rritjen e mirëqenies së tyre.
“Kemi hapur udhën e një bashkëpunimi të veçantë. BALFIN ishte korporata e parë që bashkëpunoi me World Vision Albania dhe ky partneritet është zgjeruar ndër vite”, u shpreh Eljona Elmazi, Drejtoreshë Ekzekutive e World Vision Albania.
Në shenjë mirënjohjeje për këtë rrugëtim të përbashkët, World Vision Albania i akordoi Samir Manes çmimin “Excellence in Philanthropy”, në vlerësim të më shumë se një dekade angazhimi në mbështetje të fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve në nevojë.
Megjithatë, vlera reale e këtij partneriteti shkon përtej viteve të bashkëpunimit. Vlera e tij shihet te ndryshimet konkrete në jetën e njerëzve: te një fëmijë që zhvillon aftësi të reja, te një familje që gjen mbështetje në një moment të vështirë dhe te mundësitë që bëhen të arritshme kur organizatat dhe bizneset zgjedhin të punojnë së bashku.
Kjo është edhe arsyeja pse ky partneritet do të vazhdojë dhe thellohet.
