Tungjatjeta Leonora!

BEV_2984

Prindërit e Leonorës besojnë se ai operacion i shpëtoi jetën së bijës, por nuk i ktheu dot fëmijërinë. Nora mori një kurë me ilaçe të cilat nuk i ndërpreu më kurrë. Sot është 16 vjeçe dhe merr 14 tableta në ditë, 7 në mëngjes dhe 7 në darkë. Ato i shkaktojnë një gjendje pasiviteti të vazhdueshëm por, e ëma, Lumturia, thotë se nëse nuk i merr, Nora nuk qëndron dot as në këmbë. “Goca ka kriza të shpeshta. Një ditë e gjeta në kuzhinë, të shtrirë, pa ndjenja. Një ditë tjetër na u rrëzua para syve në verandë. Vetëm ato ilaçe e mbajnë gjallë. Sikur të pinte ca më pak se më dridhet dora kur ia jap. Po i shkatërrohet stomaku…shih sa e dobët ka ngelur…”- thotë mes lotësh Lumturia.

Pas 40 minutash rrugë nga Librazhdi shquhen tek tuk disa shtëpi. Pas malit dallohen 3-4 shtëpi, mes tyre edhe shtëpia e Leonorës. Jemi në Kokrevë.

Sapo mbërrijmë, na presin prindërit e Norës, siç e thërrasin ata. Osmani dhe Lumturia janë prindër të tre vajzave dhe të një djali. Kimetja 24- vjeçare sapo ka mbaruar universitetin për administrim biznes. I vëllai, Erjoni, 20 vjeç, ka emigruar në Angli, si shumë djem të tjerë në atë zonë, Nora është 16 vjeçe dhe Diana, më e vogla, 13-të.

Nora është e përkëdhelura dhe e përkujdesura e të gjithëve.

Osmani, i ati nuk vonon të rrëfejë përsiatjet e familjes… Nora ishte 5 vjeçe kur kaloi krizën e parë të epilepsisë. Ajo u rrëzua në tokë dhe filloi të dridhej. Kjo gjë filloi t’i ndodhte shumë shpesh. “Ishte 15 maj i 2005-ës. Nuk e harroj atë ditë. E sollëm në Tiranë. Mjekët i bënë skaner dhe thanë se ka nevojë për operacion– kujton me dhimbje Kujtimi.

Norës i pëlqen të dëgjojë muzikë, të shohë TV, të bëjë fotografi. Të vetmet fjalë që Nora na thotë me vështirësi janë: “Më pëlqejnë këngët e bukura”.

Gjatë këtyre viteve, Nora e ka ndjekur shkollën me ditë dhe nuk ka mundur të marrë asgjë prej saj. Ajo nuk njeh as gërmat dhe as numrat. “Sa herë kisha mundësi, e çoja tek shkolla që ka klasën speciale në Librazhd, por kur vinte nga atje Nora bëhej shumë agresive se imitonte fëmijët e tjerë”– tregon Osmani.

Ai nuk ka pasur mundësi ta çojë Norën në një qendër të specializuar. Më e afërta është në qendër të Librazhdit, por për të shkuar atje u duhet të paguajnë 400 lekë të rinj për person. Barnat e Norës kushtojnë 20 mijë lekë të rinj, dhe vetëm 14 mijë rimbursohen. Të tjerat familja i siguron vetë dhe Osmani është i vetmi që punon. Ai merret me mirëmbajtjen e fshatit. Bashkëshortja e ka të pamundur, sepse duhet të kujdeset për Norën, gjatë gjithë kohës.

Dëshira e tyre më e madhe është që vajza të marrë kujdesin e specializuar mjekësor që të përmirësohet, sadopak. Për këtë, World Vision, ka filluar programin social Tungjajeta, që do i mundësojë shërbime të specializuara fëmijëve me aftësi të kufizuara në fshatrat e thellë të Librazhdit.