Treg i sigurt për mjaltin e Dilaverit nga Librazhdi, prodhime cilësore për qytetarët

DSC_8162

Natyra e bukur, ajri i pastër dhe shumëllojshmëria e luleve, janë faktorët kryesorë që e bëjnë mjaltin e Librazhdit një prej më të kërkuarve në Shqipëri. Gështenja, shumë e preferuar nga bletët, është një produkt që kultivohet dhe prodhohet masivisht, kryesisht në zonën e Gurakuqit në Librazhd. Sipas të dhënave nga autoritetet vendore, fermerët e asaj zone prodhojnë rreth 25 tonë gështenja në vit.

Bleta dhe gështenja prej dekadash “udhëtojnë” së bashku me fermerët e zonës, duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik që sjell të ardhura për familjet kultivuese dhe duke garantuar një produkt cilësor për banorët e zonës.

Ngritja e një Pike Grumbullimi në zonën e Librazhdit do të ndikojë edhe më shumë në zgjerimin e aktivitetetit të bletërritësve.  Në këtë prag pranvere, 123 fermerë bletërritës në këtë bashki po presin me padurim prodhimin e ri dhe përfundimin e Pikës së Grumbullimit, e cila do të garantojë treg të sigurt për produktet e tyre.

Dilaveri nga Gurakuqi është një prej bletërritësve më të mirë të zonës së Librazhdit. Pasionin dhe kujdesin ndaj bletëve e ka trashëguar nga babai i tij. Përmes këtij aktiviteti ai siguron të ardhura për familjen e tij.

Prej 15 vitesh kujdesem vetë për parkun e bletëve. Para se të filloja si sipërmarres, unë ndihmoja babain me punë dhe shërbime të vogla me bletët në parkun e shtëpisë sonë. Sot kam 150 koshere me bletë, duke prodhuar në vit rreth 6kv mjaltë”- na tregon fermeri bletërritës.

Zona e Gurakuqit ku jeton edhe fermeri është e mbushur me rreth 2000 ha pyje gështenje, e cila e shton së tepërmi interesin për prodhimin e këtij produkti kaq cilësor dhe të shëndetshëm për konsumatorët. Mjalti i gështenjës është më i kërkuari në treg, por largësia me qytetin është pengesa më e madhe e Dilaverit dhe e fermerëve të tjerë.

Nisur nga kjo nevojë e fermerëve të zonës, ngritja e një Pike Grumbullimi funksionale i jep zgjidhje fermerëve duke garantuar treg të sigurt për prodhimet e tyre.

Me përfundimin e Pikës së Grumbullimit të gjithë fermerët do jenë gati për mbledhjen dhe promovimin e mjaltit në një pikë të vetme të aksesueshme për të gjithë bletërritësit e zonës, duke patur edhe treg të sigurt.

“Me ngritjen e Pikës së Grumbullimit do të kemi blerës të sigurt dhe mundësi ta dorëzojmë njeherësh të gjithë mjaltin. Pjesën tjetër të kohës mund ta shfrytëzojmë për t’u kujdesur për bletët. Kjo praktikë e re mendoj se do na organizojë më shumë në drejtim të shërbimeve për prodhim edhe me cilësor,”- thotë Dilaveri.

Bletërritësi është shpresëplotë se me sigurimin e një tregu të sigurt për prodhimin e tij, në 3 vitet e ardhshme do të mund të zgjerojë aktivitetin edhe me 100 koshere më shumë.

Në kuadër të projektit për ngritjen e një Pike Grumbullimi, prodhimet e fermerëve të zonës do të jenë pjesë e (FoodHub), i cili do të jetë inicimi i lëvizjes për vetëpunësim në zonën e Librazhdit ku përmes angazhimit të fermerëve, kontratave të shitblerjes, certifikimit të produkteve, do të krijojë mundësi për të gjithë banorët për të gjeneruar aktivitete fitimprurëse.

“Jo Drogë! Pikë Grumbullimi! Një alternativë e qëndrueshme zhvillimi për të rinjtë dhe komunitetet në Librazhd” është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri dhe po zbatohet nga Bashkia Librazhd në partneritet me World Vision Albania.