Ti je pjesë e familjes…jam këtu për të të ndihmuar

Irsa fotoeprere

Ne jemi përkrah teje, ashtu sikurse janë edhe prindërit e tu. Ne duam të të ndihmojmë që ti të ecësh në jetë. Unë dua që të jesh e lumtur! Ne kemi besim tek ty, sepse ti je pjesë e familjes. Kështu që nëse do të kesh nevojë për ndihmë mos nguro të kërkosh mbështetjen tonë. E di që ke punuar për orë të gjata gjatë verës së shkuar dhe vërtetë vlerësojmë angazhimin dhe dëshirën për të ndihmuar familjen, por të lutem, kushtoju studimeve. Ato janë detyra jote kryesore! Do të të ndihmoj unë me pjesën financiare të shkollës së lartë, ashtu siç do të bëja me time bijë. Jam këtu për të të ndihmuar, besomë” – shkruan John në një prej letrave që ka shkëmbyer me Irisën, një prej fëmijëve që sponsorizon në Shqipëri që prej fillimit të vitit 2009.

Ajo sapo ka mbushur 18-vjeç dhe tashmë është gati të vazhdojë shkollën e lartë. Mundësitë ekonomike të një familjeje të madhe prej 8 personash, ku punon vetëm nëna e babai, janë shumë të pakta për t’i blerë ushqimet, librat, rrobat apo për t’i siguruar një vend tjetër ku të qendrojë jashtë pragut të shtëpisë, por më afër dijes. Madje, gjatë verës së shkuar edhe vetë Irisa punoi me orë të zgjatura, për 2 muaj e gjysmë, në një kompani fasone. Emocionet e ndjenjat e atyre ditëve, ku fitoi pak të ardhura për të ndihmuar familjen, por shumë “ekperiencë” mbi punën e djersën e prindërve për të siguruar ushqimin e përditshëm, i ndan me familjen e John-it.

Puna ishte e lodhshme dhe sfilitëse, por jo çdo gjë kishte të bënte me paratë dhe nuk jam penduar aspak sepse jam kaq shumë e lumtur që ia dola. Unë mësova se si punojnë prindërit e mi çdo ditë. Mësova se njerëzit nuk janë gjithmonë të dashur e miqësorë. Mësova sesi duhet të komunikoj me njerëzit që kam rreth e rrotull. Kuptova se ç’do të thotë të mos kesh një profesion të vërtetë . Kuptova se cila do të ishte e ardhmja ime nëse nuk do të vazhdoj universitetin. Jam e re dhe kam shumë për të mësuar, por deri më tani kjo ishte eksperieca më e vlefshme që do të më ndihmojë shumë për të ardhmen”- shprehet Irisa mes radhësh.

John është zjarrfikës, kurse bashkëshortja e tij infermiere. Ata janë të lumtur dhe shumë entuziastë që kane mundesine te mbeshtesin një vajzë te zgjuar e me zemër të madhe si Irisa. Ata thonë se ndiehen shumë krenarë për rezultatet që ka arritur në shkollë, pjesa më e madhe 10-a dhe fare pak 9-a. Dy degët e preferuara të Irisës janë matematika, një degë që pakkush nga të rinjtë e sotëm e ka me zell, dhe mjekësia, njëe profesion nëpërmjet së cilit vajza dëshiron të ndihmojë të tjerët.

 

Irisa 18-vjeçare, thotë se falë mbështetjes së John-it po sheh një dritë në fund të tunelit. “Jam shumë e lumtur që ju kam bërë të ndieheni krenarë. Jam duke fluturuar nga gëzimi sepse ju ndryshuat jetën time në të gjitha kuptimet. Është një mrekulli që unë do kem mundësi të studioj mjekësinë ose matematikën. Janë pasionet e jetës sime, dhe unë nuk do ta harroj kurrë ndihmën tuaj e në të ardhmen edhe unë do të ndihmoj gjithkënd që ka nevojë nëpër botë. Do bëj c’është e mundur. Fëmijët tuaj janë me shumë fat që kanë prindër si ju, njerëz shpritmirë” – thotë vajza me shpresën se një ditë do i takojë ballë për ballë e t’ia shprehë gjithë mirënjohjen duke e parë në sy.

Rezultatet janë bërë publike e vajza tashmë sapo ka filluar shkollën e lartë për matematikë në Vlorë.

Familja e Irisës pati mundësinë e artë të ketë një vajzë si Irisa e një mik si John.Duke ndihmuar Irisën të vazhdojë universitetin, nuk do të thotë vetëm mbështetje për të. Në të ardhmen Irisa do të jetë mbështetja dhe frymëzimi për 2 motrat e tjera dhe vëllain që dhe ata të vazhdojnë arsimin e lartë. Ashtu siç thotë Irisa, ajo është duke shkruar kapitullin e parë të së ardhmes. Tashmë bota e saj nuk është më bardh e zi, por plot ngjyra jete, dhe kjo falë John-it dhe familjes së tij.