‘Thuaje’ – Një ekspozitë fotografike mbi sfidat e punësimit të të rinjve

Tiranë, 18 korrik 2023 –  Punësimi është një nga sfidat më të mëdha të të rinjve në ditët e sotme. Vetë ata e kanë identifikuar si një nga çështjet që kanë nevojë ta diskutojnë dhe t’i japin zgjidhje afatgjatë.  Për ta sjellë në vëmendje këtë tematikë, një grup të rinjsh nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë hapur në Tiranë një ekspozitë me fotografi bardh e zi, të konceptuara prej tyre.

Referuar të dhënave zyrtare të  Institutit të Statistikave, në 3 muajt e parë të vitit 2023, shkalla zyrtare e papunësisë tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç në vendin tonë është 22.5%, shifër kjo 1,8% më e lartë se 3 muajt e fundit të vitit 2022. 

’Thuaje’ e kanë quajtur të rinjtë këtë iniciativë që ndërthur elementë të artit vizual dhe teknologjisë. Ata synojnë jo vetëm nxitjen e diskutimeve për zgjidhjen e sfidave që hasin ndërsa përballen me tregun e punës, por edhe përfshirjen e bashkëmoshatarëve të tyre për t’u bërë pjesë e procesit dhe propozimeve konkrete.

Përfshirja e vetë të rinjve në çështje që prekin direkt jetën e tyre është e domosdoshme, jo vetëm për t’ju krijuar hapësirën e nevojshme për të shprehur idetë dhe pikëpamjet që kanë, por edhe për të mundësuar zgjidhje të reja dhe inovative për sfidat me të cilat ata përballen në përditshmëri.

Ekspozita do të inagurohet ditën e martë, datë 18 Korrik 2023, ora 19:00 dhe do të qendrojë e hapur për vizitorët deri më datë 22 korrik 2023. Ky event është pjesë e nismës së ndërmarrë nga organizata World Vision në Shqipëri, që prej më shumë se 24 vitesh në Shqipëri mbështet fëmijët dhe të rinjtë në komunitetet më në nevojë në vend.