Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, organizata World Vision Albania (WVA), në kuadër të projektit “Nxitja e Punësimit të Denjë për të Rinjtë dhe Personat e Papunë në Zonën Ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, po mbështet zhvillimin e iniciativave të reja të biznesit (Start-Up) nga gratë në zonën e projektit, përmes sigurimit të pajisjeve të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit të tyre ekonomik.
Në këtë kuadër, World Vision Albania fton të gjitha bizneset që operojnë në fushën e tregtimit të pajisjeve dhe aksesorëve të rrobaqepësisë të shprehin interesin e tyre për të marrë pjesë në procesin e tenderimit, duke paraqitur dokumentacionin e mëposhtëm:
- Email për shprehje interesi me subjekt: “Shprehje Interesi – Pajisje dhe Aksesorë Rrobaqepësie”;
- Certifikatën e regjistrimit të biznesit (NIPT).
Afati për aplikim: 16 nëntor 2026.
Aplikimet duhet të dërgohen në adresën elektronike: Procurement_Albania@wvi.org.
Bizneset që do të shprehin interes dhe do të konsiderohen të përshtatshme do të ftohen në një fazë të mëtejshme të procesit për të paraqitur dokumentacionin e kërkuar, si dhe ofertën e tyre financiare përmes platformës COUPA.
Procesi do të zhvillohet në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës së ndershme, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të të gjitha palëve të interesuara.
Projekti “Nxitja e Punësimit të Denjë për të Rinjtë dhe Personat e Papunë në Zonën Ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga World Vision Albania, Agjencia e Punësimit në Mal të Zi dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësisive në Shqipëri.
Rreth World Vision Albania
World Vision është një organizatë ndërkombëtare humanitare e krishterë, zhvillimi komunitar dhe advokatie. Në Shqipëri, World Vision filloi të punonte në 1999-ën, si përgjigje ndaj krizës së refugjatëve kosovarë. Prej 27 vitesh, puna jonë në Shqipëri është fokusuar te zhvillimi dhe mbështetja afatgjatë për fëmijët, të rinjtë, vajzat, gratë, familjet dhe komunitetet, veçanarisht ata më në nevojë.
Mbrojtja e përfshirja sociale, aktivizmi rinor dhe aftësitë për jetën, si dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik për familjet janë fokusi i punës sonë.